albinfo.ch
Zhvillim
Prishtinë-Bazel, relacioni më i frekuentuar nga kosovarët
Ekipi i albinfo.ch ishte në aeroport për të parë nga afër vajtje-ardhjet e pasagjerëve nga diaspora.
Zvicra dhe Gjermania vazhdojnë të mbeten dy shtetet që frekuentohen më së shumti nga pasagjerët kosovarë brenda një viti. Edhe për shkak të koncentrimit më të madh të diasporës kosovare në këto shtete, shumica e fluturimeve nga aeroporti ndërkombëtar “Adem Jashari” e kanë destinacion Zvicrën dhe Gjermaninë.
Kështu deklaroi zëdhënësja e aeroportit të vetëm në Kosovë, Valentina Gara, sipas të cilës, Zvicra është e para me 30-32 për qind të fluturimeve në vit, me linjat Cyrih, Gjenevë dhe Bazel. “Kohët e fundit Bazeli është destinacioni kryesor, sepse është pikë takimi mes Gjermanisë, Francës dhe Zvicrës”, tha zëdhënësja Gara.
Albinfo.ch ishte në aeroport për të parë nga afër vajtje-ardhjen e pasagjerëve nga diaspora. Në këtë arterie që lidh Kosovën me botën, tashmë ka filluar sezoni veror, ndërsa zyrtarët që e menaxhojnë aeroportin thonë se janë të kënaqur me stafin, që sipas tyre, është shumë profesional.
Zëdhënësja Valentina Gara tha se sezoni i ri ka sjellë edhe futjen në linjë të kompanisë ajrore zvicerane-gjermane “Germania Flug”, e cila në partneritet me kompaninë “Air Prishtina” prej 1 prillit po realizon linjë të re Prishtinë-Cyrih.
“Fillimi i fluturimeve në Prishtinë nga “Germania Flug” do të rrisë mundësinë për më shumë zgjedhje për pasagjerët tanë si dhe besojmë se do të ofrojë opsione edhe më të përshtatshme për të udhëtuar drejt Kosovës apo anasjelltas”, deklaroi ajo.
Nis sezoni veror i fluturimeve
Sezoni veror i fluturimeve ka nisur më 29 mars dhe do të zgjasë deri më 24 tetor. Sipas zyrtarëve të këtij aeroporti, tashmë janë pranuar edhe kërkesat për fluturime nga 22 kompani ajrore, të cilat do të ofrojnë linja direkt të Prishtinës me 26 destinacione të ndryshme të botës.
Por, çfarë në fakt ofron për udhëtarët aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” dhe cilat janë kapacitetet dhe kushtet teknike?
Për këto pyetje albinfo.ch takoi drejtorin e aeroportit, turkun Haldun Firat Kokturk. Ky i fundit tha se me kapacitet e tanishme Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës mund t’i përballojmë deri në 4.5 milionë pasagjerë në vit dhe në orët më të zëna ai mund t’i menaxhojë deri në 16 fluturime brenda një ore, në të dyja drejtimet, vajtje-ardhje.
“Kemi një aeroport shumë modern dhe me teknologji të lartë. Kemi staf të edukuar dhe të sjellshëm, të cilët njohin shumë gjuhë. Gjithashtu kemi një kualitet të lartë shërbimesh, sepse operojmë të gjitha operimet tokësore dhe të gjitha ato shërbime i ofrojmë vetë”, deklaroi Kokturk.
Sipas tij, menaxhmenti po punon që të tërheqë sa më shumë kompani ajrore me programe stimuluese, në mënyrë që ato të reflektojnë në uljen e çmimit të biletave për pasagjerët.
“Kohët e fundit e kemi lansuar programin stimulues, i cili është shumë atraktiv për kompanitë ajrore. Qëllimi ynë është që të rrisim frekuencën e fluturimeve ajrore dhe të përpiqemi që kompanitë ajrore t’i ulin çmimet e biletave deri në një pikë të caktuar. Natyrisht, që ne nuk jemi ata që vendosim për çmimet, mirëpo nëse arrijmë të sjellim më shumë kompani, atëherë rrjedhimisht konkurrenca do t’i ulë çmimet”, shtoi drejtori Kokturk.
Qytetarët të kënaqur me aeroportin “Adem Jashari”
Që prej fytjes në përdorim të terminalit të ri në tetor të vitit 2013, edhe pse me vonesë, Kosova, megjithatë, ka arritur që deri diku të futet në konkurrencën evropiane për standarde aeroportuale. Kështu së paku thonë statistikat e Asociacionit Evropian të Aviacionit.
Qytetarët kosovarë, të cilët punojnë dhe jetojnë në vendet e Evropës Perëndimore, në përgjithësi janë të kënaqur me shërbimet që ofron “Adem Jashari”. Shumica prej tyre ndajnë këtë qëndrim edhe sa u përket shërbimeve teknike të personelit të kompanisë “Limak-Lion” që e menaxhon aeroportin, por janë çmimet shumë të larta që paguajnë ata për biletat e linjës ajrore për në Prishtinë dhe anasjelltas.
Arfi Rudaj, i cili jeton dhe punon në Schaffhausen të Zvicrës, e që në vendlindjen e tij në Savrovë të Suharekës kthehet së paku katër herë në vit, tha se Aeroporti i Prishtinë i plotëson të gjitha standardet e një aeroporti modern evropian. Rudaj tha se ky aeroport këto kritere i plotëson edhe për sa i përket kushteve teknike, por edhe me menaxhimin e udhëtarëve.
“Që prej se është lëshuar në shfrytëzim terminali i ri aeroportit, gjithçka ka ndryshuar. Unë dhe familja ime jemi të kënaqur me shërbimet që gjejmë në aeroport. Nuk ka asnjë dallim nga aeroportet e Zvicrës. Jemi shumë të kënaqur që ne kosovarët, së paku me këtë aeroport, të jemi të krahasueshëm me vendet e Evropës Perëndimore”, tha Rudaj.
Fatbardha Dervodelli që jeton në Cyrih të Zvicrës tha se udhëton së paku tri herë në vit në linjën Cyrih-Prishtinë dhe anasjelltas. Por, sipas saj, çmimet e larta të biletave të fluturimeve bënë që mërgimtarët të kenë një perceptimi të keq për Aeroportin e Prishtinës. Ajo shtoi se nganjëherë edhe stafi civil i aeroportit ndodh të mos jetë korrekt me udhëtarët.
“Unë, personalisht, kam vërejtje tek personeli i Aeroportit, për shkak se ata nuk po sillen mirë me ne. Unë udhëtoj së paku tri herë në vit nga Cyrihu për Prishtinë, por në Zvicër na shërbejnë më mirë, personeli është më i kulturuar… kurse këta tanët nuk sillen korrekt me ne”, tha Fatmbardha Dervodelli.
Ankohen për çmime të shtrenjta
Bajram Hashani që jeton në mes të Krefeldit të Gjermanisë dhe Shtimes së Kosovës, tha se si pensionist që është i bie të fluturojë shumë shpesh në linjën Prishtinë-Dyseldorf.
“Çmimet e biletave janë shumë të shtrenjta. Çka po na duhen kushtet e mira të aeroportit kur kemi këso çmimesh? Ne nuk e dimë kush i ka fajet për çmimet … aeroporti, Qeveria, a kompanitë ajrore! Kushtet e aeroportit janë shumë të mira, por ne udhëtarët nuk po përfitojmë shumë nga kjo”, tha për albinfo.ch Bajram Hashani.
Sipas një vendimi të Qeverisë së Kosovës të vitit 2010, Aeroporti i Prishtinës i është dhënë me koncesion konsorcumit turko-francez Limak Aeroport de Lyon, për një periudhë 20-vjeçare. Terminali ka një sipërfaqe prej 42 mijë metrash katrorë, ndërsa kostoja e investimeve është rreth 130 milionë euro.
Që prej tetorit të vitit 2013, kur u përurua terminali i ri, Prishtina është pothuajse i treti aeroport më i madh në shtetet e ish-Jugosllavisë, pas Beogradit dhe Zagrebit.
Edhe pse terminali i ri i ofron kushte komode dhe ambient të mirë me pikat ‘Duty-free’, ku ofrohet ushqim e pije, ka po ashtu edhe ambiente Lounge, si dhe hapësira të veçanta për persona të rëndësishëm (VIP), udhëtarët e intervistuar nga albinfo.ch thanë se çmimet janë shumë të shtrenjta. Një kafe exspresso këtu ofrohet me çmimin prej 1.5 euro, ndërkaq një sandviç me djathë me 3.5 euro.
Të ngjashme
Të tjera nga Zhvillim
E-Diaspora
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri? Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, tha se janë krijuar kushtet e...
-
Kurti mban fjalim në forumin ekonomik Zvicër-Kosovë, flet për “partneritet të fuqishëm”
-
Arbër Bullakaj, në krye të nismës për lehtësimin e natyralizimit të të huajve
-
Ariana Qizmolli, me pjesën “Kërce pak”, në festivalin e vallëzimit, në Winterthur
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake
Jeta në Zvicër
-
Kaosi i SBB i frustron udhëtarët: “Ka komunikim zero” Në Zvicër ka pak trafik që nga pasditja e së enjtes: bora ka shkaktuar aksidente të...
-
Bora paralizon qarkullimin në shumë vende në Zvicër
-
Bazeli do të votojë mbi koston e organizimit ‘blasfemik’ të Eurovizionit 2025
-
Zvicra mbetet kampione evropiane në hekurudha
-
Arbër Bullakaj, në krye të nismës për lehtësimin e natyralizimit të të huajve