Zhvillim

6.5 milionë euro për bujqësinë në Shqipëri

Gjermania dhe Danimarka do të ndihmojnë zhvillimin e bujqësisë në Shqipëri

Një fond prej 6.5 milionë eurosh, i financuar nga qeveria gjermane dhe daneze, do të shpërndahet në zonat malore me potenciale të mëdha për zhvillimin e bujqësisë. Projekti në fjalë ishte prezantuar gjatë një takimi të organizuar nga Ministria e Bujqësisë, në bashkëpunim me ambasadat e Gjermanisë dhe Danimarkës në Tiranë.

Siç raportojnë mediet në Tiranë, në takimin “Mbështetje për zhvillimin e bujqësisë dhe të ekonomisë rurale të zonave malore të pafavorizuara”, u prezantuan skemat e fondeve.

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, tha se fondet do të ndikojnë në rritjen e cilësisë së jetesës së banorëve në këto zona si dhe pritet të ndikojnë në rritjen e konkurrueshmërisë së prodhimeve shqiptare bujqësore.
“Ky projekt parashikon injektimin e 6.5 milionë eurove në zonat e varfra, ku ekzistojnë potenciale të mëdha, por të pashfrytëzuara”, theksoi Panariti.
Fondi do të shpërndahet në 6 qarqe për 1.000 fermerë.