Kosova

KQZ miraton fletëvotimet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimit për Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.

Gjithashtu, KQZ miratoi edhe broshurën me listën e emrave të të gjitha subjekteve politike dhe kandidatëve të certifikuar për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Foto: KQZ

Megjithatë, në këtë mbledhje nuk ka kaluar rekomandimi për ndarjen e mjeteve për subjektet politike.

Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike ka thënë se zyra ka analizuar këtë rekomandim, ku prej datës 1 deri më 9 janar do të ndahen mjetet për subjektet politike.

“Gjithsej 14 subjekte politike përfitojnë; zyra rekomandon KQZ-në që të bëjë ndarjen e buxhetit për dy muaj. Zyra ka analizuar edhe aktet tjera ligjore, ku shuma prej 10 për qind për grupet parlamentare rekomandohet të ndahet prej datës 1 janar deri më 9 janar. Lidhur me këtë, zyra rekomandon që mjetet të ndahen nga fondi. Sipas rekomandimit, subjektet politike që do të përfitonin janë: Lëvizja Vetëvendosje – 353,898.31 euro, PDK – 115,932.20 euro, LDK – 91,525.42 euro, SRPSKA LISTA – 54,915.25 euro, AAK – 48,813.56 euro, KOSOVA DEMOKRATİK TÜRK PARTİSİ – 12,203.39 euro, etj.”, ka thënë Buzhala.

Anëtari i KQZ-së, Alban Krasniqi, ka rekomanduar që shuma e cila ndahet për secilin subjekt politik të jetë e ndarë dhe jo si një shumë totale.

“Edhe pse mund të rekomandohet që Kuvendi nuk është aktiv në punën e tij, shuma e secilit subjekt duhet të jetë në përputhje me ligjin. Si shumë, nuk mendoj që zyra ka të drejtën të ndalë shumën për një subjekt. Totali i asaj shume i takon subjekteve politike; ky rekomandim apo miratimi duhet të jetë i veçantë për secilin subjekt politik dhe jo në përgjithësi”, ka thënë Krasniqi.

Anëtari i KQZ-së, Sami Kurteshi, ka theksuar se është kundër kësaj pike, për shkak se nuk e pranon ndarjen e mjeteve buxhetore për Listën Serbe.

“Jam kundër ndarjes së mjeteve të Listës Serbe, i kam dhënë argumentet e mia dhe vota ime është kundër ndarjes së mjeteve për këtë subjekt”, ka thënë Kurteshi.