Integrimi

Gjesti me flamurin shqiptar, naiv, por i dramatizuar pa nevojë

Mediet zvicerane sërish kanë ngritur shqetësimin lidhur me atë se sa “të besueshëm” janë të rinjtë me prejardhje të huaj për shërbim në ushtrinë e Zvicrës. Sërish shkas  është bërë një fotografi e publikuar në facebook, ku shihet një grup të rinjsh me uniforma ushtarake të Zvicrës duke pozuar me flamurin shqiptar.

Fotografia është realizuar në një tren dhe aty shihen 7 shqiptarozviceranë, ushtarë aktivë (me armë) deri sa po ktheheshin ose po shkonin në pushim. Ata madje kanë ngritur lart pushkët e tyre dhe disa prej tyre bëjnë edhe shenjën e shqiponjës me duar.

Hamit_zeqiri2.JPG

Zeqiri: Përveç provokimit dhe irritimit, ky gjest nuk i shërben askujt

Për Hamit Zeqirin, kryetar i Bashkësisë së Qendrave për Integrim në nivel të Zvicrës (Kofi) kjo ngjarje është dramatizuar nga medie të caktuara, të cilat sipas tij, këtij rasti i kanë dhënë një dimension më të madh se sa që është dashur.

Megjithatë për Zeqirin nuk ishte edhe e qëlluar një paraqitje e këtillë e djelmoshave.

„Të përdoren termet si „tradhtar“ e të ngjashme që për mendimin tim nuk është adekuate. Prezantimi i tillë i flamurit shqiptar me uniformë dhe armë ushtarake zvicerane, nuk është i qëlluar. Shumica e popujve janë të ndjeshëm në këto tema. Sigurisht që edhe shqiptarët do të irritoheshin sikur persona me prejardhje zvicerane të fotografoheshin në uniformë ushtarake shqiptare me flamur zviceran. Mendoj se secili duhet të jetë vetëkritik para se ta drejtojë gishtin nga të tjerët. Edhe të rinjtë shqiptarë duhet të mendojnë para se të shpërndajnë foto të tilla në internet. Përveç provokimit edhe irritimit, një gjest i tillë nuk i shërben askujt”, deklaron për albinfo.ch, Hamit Zeqiri.

albinfo.ch: Perparim Avdili
albinfo.ch: Perparim Avdili

Avdili: Sado naiv, akti ka edhe diçka pozitive

Ndryshe mendon Përparim Avdili, kandidat i FDP-së (Partia Liberale e Zvicrës) për deputet në Parlamentin e Kantonit të Cyrihut. Ai, rastin e ndërlidh me spotin e tij zgjedhor në shqip, që nuk është pritur mirë nga oponentët politikë zviceranë të SVP-së.

“Sado naiv që mund të jetë ky akt i atyre djemve të rinj, prapë se prapë lidhet me diçka pozitive. Është dashuria ndaj atdheut por dhe ndaj shtëpisë së tyre, njëkohësisht – atdheu Shqipëria, shtëpia Zvicra – një kombinim shumë i qëlluar dhe i bukur”, deklaron Avdili.

Politikani shqiptarozviceran thotë se nëse nuk u janë përmbajtur rregullave ushtarake – si përdorimi i fotografive dhe mënyra se si i mbajnë në dorë armët – ata duhet të dënohen. “Por, edhe këtu dihet qartë nuk është rasti i parë i tillë. Por ajo që kësaj here po u pengon është flamuri, asgjë tjetër. Dhe kjo lidhet shumë mirë me rastin tim. Është një albanofobi e paarsyeshme. Ne, shqiptarët, i kemi dhënë shoqërisë zvicerane një ndjenjë patriotike, që këta nuk e kishin, e tani e përdorin pikërisht kundër neve”, deklaron Avdili.

Brunner: Ushtarët i pret ndëshkimi

Sidoqoftë, për ushtarët nga fotografia, kjo pozë mund  të ketë pasoja. Kjo, të paktën sipas  zëdhënësit të ushtrisë zvicerane, Christoph Brunner.

“Rasti tash do të bëhet objekt i hetimeve nga policia ushtarake”, ka konfirmuar Brunner. Nëse kjo i identifikon ushtarët, ata i pret një vërejtje, ndalim daljeje, gjobë me para ose arresti.

Zëdhënësi i ushtrisë, Christoph Brunner tha se kur dikush bart uniformën zvicerane, flamuri i Zvicrës është i vetmi që ata  duan ta shohim. 

“Të gjithë flamujt tjerë s`kanë çfarë kërkojnë aty”, thotë Brunner.