Kosova

Osmani për moscertifikimin e Listës Serbe: Duhet të respektohet vendimi i KQZ-së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas moscertifikimit të Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit. Ajo ka thënë se kjo parti mori pjesë në sulme terroriste.

“Lista Serbe është organizatë, e cila në radhët e veta ka individë, të cilët vazhdimisht kanë kryer akte terroriste, akte agresioni, si dhe kanë cenuar rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, tha Osmani, në një përgjigje për KOHËN.

Osmani tha se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është një institucion i pavarur kushtetues, i cili vendos në mënyrë të pavarur.

“Çdo vendim i nxjerrë nga KQZ-ja, duhet të respektohet, si pjesë e përkushtimit ndaj sundimit të ligjit dhe ruajtjes së integritetit institucional”, tha ajo. /KOHA