Lajme

Zvicra vendos sanksione të reja ndaj individëve dhe kompanive ruse

Qeveria zvicerane “po përafrohet” me sanksionet e fundit të vendosura ndaj Moskës nga Bashkimi Evropian, tha Këshilli Federal në një deklaratë për shtyp të hënën, transmeton albinfo.ch.

Në total, 54 individë dhe 30 kompani janë në shënjestër të sanksioneve të fundit.

Personat e saposanksionuar, të cilët janë kryesisht pjesëtarë të ushtrisë, drejtues të lartë në kompani në sektorin e energjisë, si dhe individë përgjegjës për përhapjen e propagandës dhe dezinformimit, janë gjithashtu objekt i ndalimit të hyrjes dhe kalimit tranzit në Zvicër.

Të 30 kompanitë dhe organizatat e reja janë kryesisht kontraktorë rusë të mbrojtjes dhe kompani transporti detare që transportojnë naftë bruto ruse dhe produkte nafte.