Lajme

Gjykata Federale ndalon dëbimin e kosovarit: Djali i tij është invalid i rëndë

Djali i tij ka nevojë për kujdes intensiv dhe babai e viziton rregullisht atë. Nëse do të dëbohej në Kosovë, ai nuk do të mund ta bënte këtë

Gjykata Federale ka ndaluar dy deportime të kriminelëve në javët e fundit. Në të dyja rastet bëhet fjalë për të drejtën e respektimit të jetës familjare. Në njërin rast bëhet fjalë për një kosovar dhe në të dytin, për një shtetas turk.

Në fund të nëntorit, Sekretariati Shtetëror për Migracionin (SEM) pati publikuar shifrat për dëbimin e kriminelëve të huaj. Sipas tyre, vitin e kaluar, gjykatat zvicerane kanë urdhëruar 2250 dëbime nga vendi, trasnmeton albinfo.ch. Ato prekin më së shumti meshkujt nga 18 deri në 54 vjeç, më së shumti shtetas shqiptarë dhe algjerianë. Pothuajse 70 për qind e të dënuarve u larguan nga Zvicra vitin e kaluar.

Megjithatë, kreu i grupit parlamentar të SVP, Thomas Aeschi, arrin në përfundimin se klauzola e vështirësisë (që ndalon dëbimin) përdoret shumë shpesh, shkruan tabglatt.ch.

Në rastin e të ashtuquajturave vepra penale të katalogut, gjykatat mund të përmbahen nga dëbimi automatik nëse vështirësitë personale tejkalojnë interesin publik për dëbimin e një të huaji.

Kosovari ka një djalë me aftësi të kufizuara rëndë

Megjithatë, gjyqtarët në Lozanë e tërhoqën klauzolën e vështirësisë për një kosovar në fund të tetorit. Ai kishte goditur me thikë një bashkatdhetar në një kantier ndërtimi dhe për këtë arsye ishte dënuar nga Gjykata e Lartë e Solothurnit në 2023 me shtatë vjet e gjysmë burg për tentativë vrasje me dashje, duke përfshirë dhjetë vjet dëbim nga vendi.

Djali i të dëniarit është invalid i rëndë dhe ka nevojë për kujdes intensiv, babai i tij e viziton rregullisht në shtëpi. Sipas Gjykatës Federale, djali nuk mund ta vizitonte babanë e tij në Kosovë ose mund ta bënte këtë vetëm në kushte jashtëzakonisht të vështira. Prandaj, vlen e drejta për respektimin e jetës familjare. Gjykata më e lartë tani duhet të rivlerësojë çështjen dhe të vendosë nëse ajo duhet t’i japë më shumë peshë çështjes së vështirësisë sesa sigurisë publike. Në veçanti, duhet të kontrollojë nëse babai është në rrezik rikthimi apo jo.

Turku vuan nga shizofrenia 

Vendimi i 15 nëntorit ka të bëjë me një turk tashmë 34-vjeçar, të lindur në Zvicër. Tek ai është konstatuar shkalla e rëndë e shizofrenisë dhe, sipas Gjykatës Federale, ai nuk është i aftë për jetë të pavarur dhe ai jeton nën përkujdesjen e nënës së tij. Ai kurrë nuk ishte integruar në jetën e rregullt të punës, përcjell albinfo.ch. Pastaj ishte kapur duke shitur 320 gram përzierje heroine dhe Gjykata Kantonale e St. Gallenit e kishte dënuar në vitin 2019 me tre vjet burg dhe pesë vjet dëbim nga vendi.

Vendimin për dëbim  e kishte mbështetur edhe SEM, pasi, sipas tij, edhe në Turqi ekzistonte mundësia për trajtimin e sëmundjes së tij. Por Gjykata Federale e ka ndaluar dëbimin.

Sipas saj, për sa kohë që ai është i varur nga kujdesi gjithëpërfshirës i nënës së tij, kjo marrëdhënie varësie bie nën të drejtën e respektimit të jetës familjare. Por, shtyrja nuk anulohet. Nëse shëndeti i burrit stabilizohet, dëbimi do të ishte proporcional për Gjykatën Federale.