Kosova

Dalin analizat për mandarinat e importuara nga Shqipëria! A janë të rrezikshme?

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) të hënën ka pranuar rezultatet e analizave laboratorike për mostrat e dyshuara për mbetje të pesticideve mbi nivelin e lejuar (MRL) në produktin mandarinë me origjinë nga Shqipëria dhe ngarkesa të tjera.

Zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi, bëri të ditur për Telegrafin se rezultatet kanë konfirmuar se produktet nga ngarkesat në fjalë përmbushin standardet ndërkombëtare të sigurisë ushqimore dhe janë të sigurta për konsum.

“Mostrat përfaqësuese janë marrë nga gjashtë ngarkesa me origjinë të ndryshme, ku katër prej tyre janë nga Shqipëria”.

“Analizat laboratorike, të kryera sipas rregullores së Bashkimit Evropian Nr. 396/2005 dhe amendamenteve përkatëse, treguan se vlerat e mbetjeve të pesticideve janë brenda limiteve të lejuara. Testimet u realizuan me metodën konfirmative EN 15662:2018”.