Kosova

SHBA e shqetësuar për moscertifikimin e Listës Serbe

Shtetet e Bashkuara janë shprehur thellësisht të shqetësuara nga moscertifikimi i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Kështu ka thënë një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

“Jemi të shqetësuar nga përfshirja e dukshme e kritereve të motivuara politikisht në procesin e certifikimit të kryer nga Komisioni Qendror Zgjedhor. Veprime të tilla minojnë parimet themelore demokratike për zgjedhje të lira dhe të drejta, dhe i hapin derën ndikimit politik subjektiv për procesin zgjedhor”, është thënë në reagim.

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) nuk e ka certifikuar Listën Serbe, pas shqetësimeve të ngritura nga përfaqësues të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje se, kjo parti nuk e njeh shtetin e Kosovës, dhe atij nuk i referohet me emrin zyrtar, por si “Kosova dhe Metohia”.

Për certifikimin e Listës Serbe ka votuar vetëm kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, kundër kanë dalë dy anëtarët e LVV-së, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, ndërsa tjerët kanë abstenuar.