Integrimi
Humor shqiptar në ekranin zviceran, Vedat Bajrami protagonist në “Te Berberi – rritet prap”
Për të zbuluar më shumë rreth këtij projekti emocionues, Albinfo.ch sjell një intervistë me aktorin e njohur Vedat Bajrami, i cili luan një rol kyç në këtë serial
Televizioni zviceran SRF nis transmetimin e një seriali të ri komedi që premton të sjellë humor të freskët dhe situata nga jeta e përditshme. “Te Berberi – rritet prapë” është një adaptim i serialit shqip “Te Berberi”, i cili u xhirua në Bazel në vitin 2018 nën regjinë dhe producenturën e Florim Brajshorit. Ky serial fitoi zemrat e komunitetit shqiptar dhe tani sjell një version të përshtatur për audiencën zvicerane.
Ngjarjet zhvillohen në një sallon flokësh në Bazel, ku personazhet ndajnë momente qesharake dhe reflektive nga përditshmëria e tyre. Krijuesi origjinal, Florim Brajshori, vijon të jetë i përfshirë si producent dhe aktor kryesor, duke garantuar vazhdimësinë e cilësisë dhe energjisë që seriali ka ofruar më parë.
Për të zbuluar më shumë rreth këtij projekti emocionues, Albinfo.ch sjell një intervistë me aktorin e njohur Vedat Bajrami, i cili luan një rol kyç në këtë serial. Një figurë e dashur dhe e respektuar në industrinë e filmit shqiptar, Vedati ndan përjetimet e tij si protagonist i këtij seriali dhe lidhjen e tij të veçantë me diasporën shqiptare në Zvicër.
Albinfo.ch: Si aktor i njohur në Kosovë, si ishte për ju të merrnit rolin kryesor në këtë serial?
Vedat Bajrami: Si aktor i njohur në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi dhe në të gjithë botën ku ka shqiptarë, ndjej një mirënjohje dhe privilegj të veçantë që jam pjesë e këtij seriali. Për mua është një mundësi e jashtëzakonshme të përfaqësoj shqiptarët dhe të bëj krenarë bashkëkombësit e mi me punën që po bëj.
Albinfo.ch: Çfarë dallimesh dhe ngjashmërish shihni mes industrisë së filmit shqiptar dhe asaj zvicerane?
Vedat Bajrami: Industria e filmit është në thelb e njëjtë, por ndryshimet qëndrojnë në detaje si mentaliteti dhe qasja profesionale. Eksperiencat e mia në Kosovë më kanë ndihmuar shumë, sidomos në humorin që kemi si popull. Këto cilësi u kombinuan në mënyrë të shkëlqyer me disiplinën dhe profesionalizmin ekipor që pashë në Zvicër.
Albinfo.ch: Çfarë ju tërhoqi në rolin e Rokit dhe si u përgatitët për këtë rol?
Vedat Bajrami: Roli i Rokit është shumë personal për mua, pasi lidhet me historinë e shqiptarëve që emigrojnë në Zvicër. Dashuria që kam për bashkëkombësit e mi dhe përpjekjet e tyre më motivuan të hyj në këtë rol me gjithë zemër. Dua të falënderoj shtetin zviceran për mundësitë që ka ofruar shqiptarëve, si dhe për mikpritjen e tyre të vazhdueshme.
Albinfo.ch: Si e gjetët bashkëpunimin me Florim Brajshorin dhe ekipin zviceran?
Vedat Bajrami: Florimi është mik i vjetër nga ditët e studimeve tona në Prishtinë. Që atëherë kemi ndërtuar një marrëdhënie të ngushtë që vazhdon edhe sot. Falë besimit të tij në aftësitë e mia, jam pjesë e këtij projekti të mrekullueshëm. Gjithashtu, bashkëpunimi me ekipin zviceran ishte një eksperiencë e veçantë – një skuadër e përkushtuar dhe plot profesionalizëm, që punoi si një familje për të ndërtuar këtë serial.
Albinfo: Çfarë mesazhesh dhe emocionesh dëshironi të përcillni te publiku me portretizimin tuaj të Rokit?
Vedat Bajrami: Roli i Rokit është si një “desert” i ëmbël për publikun. Dua që audienca, si zvicerane, ashtu edhe shqiptare, të ndjekë me kënaqësi këtë udhëtim dhe të ndiejë lidhjen që ky personazh sjell mes dy kulturave.
Albinfo.ch: Sa mirë e njihni Zvicrën?
Vedat Bajrami: E dua Zvicrën si një shtet të sigurt dhe të pastër. Është një shembull i civilizimit modern, dhe përmes vizitave të shpeshta në çdo cep të saj, e kam njohur edhe më mirë.
Albinfo.ch: A njihni seriale të tjera zvicerane?
Vedat Bajrami: Për fat të keq, jo shumë. E di që shumë aktorë zviceranë kanë arritur suksese edhe në Hollywood, por në aspektin e komedive zvicerane nuk kam pasur ende rastin të shoh diçka.
Albinfo.ch: Cila është skena juaj e preferuar nga ky serial?
Vedat Bajrami: Është një skenë në parkun e Bazelit, ku vallëzoj vallen e Shotës me aktoren Ana. Ky moment ishte shumë emocional dhe i veçantë për mua
Me sinqeritet dhe pasion, Vedat Bajrami ndan historinë e tij si një artist që shërben si urë lidhëse mes kulturave. Seriali “Te Berberi – rritet prapë” jo vetëm që sjell humor dhe argëtim, por përfaqëson një dialog kulturor të pasur mes shqiptarëve dhe zviceranëve. Me Vedatin në rolin kryesor dhe një ekip të përkushtuar, ky projekt ka potencialin për të fituar zemrat e shikuesve dhe për të lënë një ndikim të qëndrueshëm në audiencën ndërkombëtare.
Intervistën e realizoi Luljeta Ademi
Të ngjashme
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Mbi 58 mijë votues të regjistruar jashtë Kosovës Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka njoftuar se deri më 22 dhjetor...
-
Normat negative të interesit – çka nëse?
-
Vlerësim i lartë për kompaninë „Halili + Partner“ të inxhinierit Besnik Halili
-
Rrugës për në Kosovë, mërgimtarët presin mbi 15 orë në kufirin Kroaci-Serbi
-
Iu dha lamtumira e fundit aktorit Adem Muji
Jeta në Zvicër
-
Si do të përfitojë Zvicra nga pakti i ri me Bashkimin Evropian? Pas nëntë muaj negociatash intensive - dhe disa pika të vështira gjatë rrugës - marrëveshja e...
-
Disa qiramarrës zviceranë mund të presin qira më të ulëta në vitin 2025
-
Rritje e ndjeshme e aksidenteve në ski te të moshuarit
-
Badhütte, kasollja shekullore në Rorschach, shkatërrohet plotësisht nga zjarri
-
Qeveria paralajmëron për kushte të këqija të rrugëve, rrezik nga ortekët në Alpet zvicerane