Integrimi
Projekt studimor mbi integrimin e shqiptarëve në tregun evropian të punës
"Qëllimi ynë është të studiojmë përvojën e qytetarisë industriale të punëtorëve emigrantë që vijnë nga Ballkani Perëndimor në Bashkimin Evropian"
Dr. Mimoza Dushi, studimet doktoratës i ka të përfunduara në Universitetin e Prishtinës, Kosovë në fushën e demografisë. Aktualisht është në studime post-doktoraturës në Universitetin e Innsbruckut, Austri. Është duke bërë kërkime, për të njohur më mirë me shqiptarët jashtë atdheut, në Evropën Perëndimore më saktësisht në Zvicër dhe Gjermani, për të kuptuar pozitën e tyre politike, shoqërore, ekonomike dhe kombëtare, për të gjykuar për ta, nga njëra anë, jeta, puna si dhe për të kuptuar nga ana tjetër integrimin e tyre në shoqërinë mikpritëse. Këto ditë ajo po qëndron në Zvicër- Cyrih dhe me kënaqësi zhvilluam një intervistë me të.
albinfo.ch: Znj Mimoza Dushi, faleminderit që pranuat të bisedonit me portalin”albinfo.ch” në Zvicër.
Mimoza Dushi: Falënderimi më takon mua që më ofroni mundësinë që të jem pjesë e gazetës suaj dhe njëkohësisht pjesë e të gjithë e bashkatdhetarëve në Zvicër. Më tepër se kaq, që më ofroni mundësinë të njoftoj lexuesit e juaj me aktivitetet tona akademike. Faleminderit!
Ç’mund të thoni për vizitën tuaj të parë në Zvicër?
Mimoza Dushi: Po, kjo është vizita ime e parë në Zvicër në rolin e studiueses. Në fakt jam pjesë e një grupi pune që po kryen një studim rreth mënyrës se si po zhvillohet lëvizja e punëtorëve nëpër vendet e Bashkimit Evropian. Aktualisht jemi duke studiuar emigrantët shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova në drejtim të Gjermanisë, Zvicrës dhe Greqisë (për rastin e Shqipërisë). Pasi, që natyra e studimit tonë ka të bëjë direkt me emigrantët, unë kam marrë në përgjegjësi të realizoj punën e terrenit në Zvicër. Kësaj radhe do të qëndroj në Zürich, edhe pse jo domosdoshmërisht puna e terrenit është e lidhur me këtë qytet. Por, u orientova këtu me faktin që gjendet numri më i madh i shqiptarëve.
Cilën metodë të studimit keni zgjedhur?
Mimoza Dushi: Ne përdorim metodën e intervistës, për të marrë përvojat e migrimit drejtpërdrejt nga emigrantët. Prandaj nevojitet pak angazhim paraprak rreth përcaktimit të emigrantëve me të cilët do të zhvillojmë bisedën. Nga kjo fazë e punës, kam hasur një gatishmëri dhe mikpritje shumë të madhe nga ana e bashkatdhetarëve. E tani edhe që jam këtu, e ndjej këtë për së afërmi.
A mund të na jepni një përshkrim më të detajuar të projektit hulumtues për lexuesit tanë?
Mimoza Dushi: Qëllimi ynë është të studiojmë përvojën e qytetarisë industriale të punëtorëve emigrantë që vijnë nga Ballkani Perëndimor në Bashkimin Evropian. Termi “Qytetari Industriale” ka të bëjë me arritjet dhe integrimin e migrantëve në tregun e punës. Fokusohemi te përvojat e emigrantëve, në përpjekje për të kuptuar qëllimet dhe strategjitë e tyre, si dhe mënyrat se si ata/ato vetë përfitojnë prej migrimit. Aktualisht jemi duke punuar me emigrantët shqiptarë që shkojnë në drejtimet respektive, sipas projektit në fjalë dhe në të njëjtën kohë po i kushtojmë vëmendje edhe kthimit të emigrantëve në vendet e origjinës. Duke pasur parasysh që qëllimi i vendeve të Ballkanit është të hyjnë në BE, atëherë qëllim i projektit është edhe të shohim këtë integrim sipas interpretimit nga ana e vetë migrantëve. Të shqyrtohen marrëdhëniet në mes shtetësisë, territorialitetit dhe shtetet, duke parë mbrojtjen e të drejtave, ndërtimit të identitetit dhe perceptimet e mundësive për pjesëmarrje.
Projekti përmban intervistat me migrantë dhe ekspertë. Përmenda më parë se nëpërmjet intervistave biografike të zhvilluara me emigrantë marrim përvojat e tyre të migrimeve, veçanërisht integrimin e tyre në tregun e punës. Ndërsa, nëpërmjet intervistave me ekspertë, personave nëpër institucionet qeveritare që punojnë apo drejtojnë departamentet e ndryshme lidhur me migrantët dhe përfaqësuesit e sindikatave të punëtorëve dhe organizatat tjera, marrim informacion mbi të drejtat e migrantëve dhe mbrojtjen e tyre në tregun e punës.
Tani, projekti parasheh edhe realizimin e një pjese të punës së terrenit nëpër vendet ku emigrantët jetojnë, për të parë për së afërmi të arriturat, jetën dhe kërkesat e tyre. Për në vazhdim, ju presim prapë në pushimet e verës në vendet e juaja të origjinës, kur parashihet edhe realizimi i fazës së tretë dhe të fundit të punës së terrenit.
Kush e financon projektin?
Mimoza Dushi: Projeti është i financuar nga Universiteti Friburgut në Zvicër. Realizohet nëpërmjet Universiteti New York të Tiranës dhe Universitetit të Prishtinës, ndërsa monitorohet nga Universiteti i Jyvaskulës në Finlandë.
Jemi informuar se keni pasur kontakte me mërgimtarët fillimisht në atdhe dhe tani për së afërmi këtu në Zvicër. Çka e karakterizon sot jetën e mërgimtarëve tanë në Zvicër?
Mimoza Dushi: Në përgjithësi gjeta që gjuha jonë flitet gjithandej, Kudo gjeta mikpritje dhe afërsi të sinqertë. Ndërsa në veçanti, gjeta se shqiptarët kanë perceptime të ndryshme mbi migrimin dhe integrimin, varësisht se nga cila anë vijnë, Kjo i bën pak të dallueshëm në mes vete, gjithmonë duke pasur parasysh motivet e ardhjes dhe plotësimin e synimeve të tyre.
Si e çmoni sot rolin e diasporës shqiptare në integrimet evropiane ?
Mimoza Dushi: Mendoj se roli i diasporës është i pazëvendësueshëm. Emigrantët janë ambasadorët më të mirë të vendeve tona. Puna e juaj, përkushtimi në vendin e punës, përpikëria dhe korrektësia në punë, si dhe kultura dhe lidhja e fortë me vendet origjinë, mendoj se janë hapat e parë që po na qojnë drejt integrimeve evropiane. Nëpërmjet kësaj bota e perëndimit ka arritur të shoh vlerat e vërteta të popullit tonë dhe të na hapë rrugën e pranimit në grupin e shteteve të BE-së. Pastaj, sot mendoj se është edhe më i madh, po nevojitet një bashkëpunim më i ngushtë në mes qeverive tona dhe diasporës sonë. Diaspora jonë sot po ndryshon. Gjenerata e dytë dhe e tretë e migrantëve tanë janë shumë më të përfshirë në shkollim e arritje profesionale dhe janë mjaft të suksesshëm. Këta mendoj se duhet të “shfrytëzohen” më shumë nga ana e shteteve tona, sepse me përvojën e tyre dhe kontaktet me njerëz të niveleve të ndryshme nëpër vendet Evropiane, mund të ndikojnë në integrimet më të shpejta evropiane. Edhe besoj, se ka një numër të konsiduerushëm të këtyre gjeneratave që janë të gatshëm të lobojnë për vendet e tyre dhe njëkohësisht të transferojnë njohuritë. Këtë të fundit, padyshim në të gjitha fushat e jetës. Në fund, më lejoni që nëpërmjet kësaj interviste të publikoj web-faqen zyrtare të projektit ku vazhdimisht publikohen aktivitetet tona rreth këtij projekti, rezultatet e arritura dhe publikimet. Mund të përcjellni çdo gjë online në adresën http://icm-westernbalkans.com/project-description-2/
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe Sot është Dita e Alfabetit Shqip, tashmë e shpallur festë zyrtare e Shqipërisë. 22 nëntori ka...
-
Vjenë
Virale dhe e suksesshme, Almira nga Austria ka 800 mijë ndjekës në rrjetin “tik-tok”
-
Suedi: Diamant Salihu fiton çmimin “Novatorët e vitit”
-
5 orë pritje, anulohet fluturimi nga Bazeli për në Prishtinë
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri?
Jeta në Zvicër
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave Pas zemërimit për rritjen masive të taksës së re të makinave, Këshilli i Madh i Gjenevës...
-
Gjykata Federale e njeh obezitetin si paaftësi në kushte të caktuara
-
Zvicra, kampion evropian në transportin hekurudhor
-
BE-ja kërkon që në universitetet e Zvicrës studentët e huaj të paguajnë sa zviceranët
-
Për këto propozime votojnë të dielën zviceranët