Futboll

Xhaka, sipas gazetes “The Guardian”, i 26-ti në botë, lë mbrapa Messin!

Ai, sipas mediumit të madh britanik është në vendin e 26-të, një pozitë para superyllit argjentinas, Lionel Messi që është në vendin e 27-të

“The Guardian” ka publikuar listën me Top 100 lojtarët më të mirë të vitit 2024.

Në mesin e yjeve botërore të futbollit në këtë ranglistë është edhe futbollisti shqiptar, kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka.

32-vjeçari renditet nw vendin e 26-tw. “Pak do të mund të besonin se lëvizja te Leverkuseni do të ishte e suksesshme, por pa e ekzagjeruar, ai është vendimtar për ekipin e drejtuar nga Xabi Alonso. Ai luan mirë në mbrojtje, vendos shpejtësinë e lojës dhe shënon gola të pabesueshëm. Ai është në formën më të mirë dhe mbetet lojtar i rëndësishëm për Përfaqësuesen e Zvicrës”, ka shkruar “The Guardian” për Granit Xhakën.

Mesfushori i Bayer Leverkusenit është në vendin e 26-të sipas mediumit të madh britanik, një pozitë para superyllit argjentinas që aktivizohet tek Inter Miami, Lionel Messi që është në vendin e 27-të, Virgil Van Dijk në vendin e 30-të, Kevin De Bruyne në pozitën e 36-të dhe Cristiano Ronaldo në vendin e 42-të.

Kësaj liste të publikuar të premten i prinë fituesi i “Topit të Artë”, 28-vjeçari i Manchester Cityt, Rodri, para yllit të Real Madridit, 24-vjeçarit Vinicius Junior.

Viniciusi e fitoi çmimin “The Best” nga FIFA, si lojtari më i mirë i vitit në botë.

Erling Haaland i Manchester Cityt, Lamine Yamal i Barcelonës dhe Jude Bellingham i Real Madridit, e plotësojnë pesëshen më të mirë.

Harry Kane, Lautaro Martinez, Florian Wirtz, Dani Carvajal dhe Kylian Mbappe janë në mesin e dhjetë më të mirëve po ashtu.

Listën me 100 lojtarët më të mirë brenda një viti, “The Guardian” ka nisur ta publikojë që prej vitit 2012./The Guardian