Shqipëria

Shqipëria preferohet edhe në vjeshtë, numri i vizitorëve të huaj rritet me 80%

Shqipëria po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një destinacion të preferuar për turistët, jo vetëm gjatë verës, por edhe në stinën e vjeshtës. Të dhënat më të fundit nga INSTAT konfirmojnë një rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve të huaj në tetor, duke regjistruar një rritje prej 80% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, transmeton euronews përcjell albinfo.ch.

Sipas statistikave të strukturave akomoduese, numri total i vizitorëve është rritur me 43%. Kryesojnë turistët nga Kosova, të cilët përbëjnë 9.5% të totalit, të ndjekur nga vizitorët nga Italia, Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar.

Interesante është edhe zgjedhja e destinacioneve këtë vjeshtë. Turistët e huaj kanë shmangur plazhet, duke preferuar atraksionet në qendër dhe në zonat jo-bregdetare. Vizitat në këto zona janë rritur me 45% në rajonin qendror dhe me 54% në destinacionet e tjera larg bregdetit.

Rritje ka pasur edhe në netët e kaluara nga turistët. Në rajonin qendror, strukturat mikpritëse si hotelet, bujtinat dhe agroturizmet kanë regjistruar një rritje prej 93% në netëqëndrimet krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Shifrat tregojnë qartë se Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë terren në tregun turistik evropian. Me atraksionet e saj natyrore dhe mikpritjen e strukturave akomoduese, vendi ynë po tërheq udhëtarët që zgjedhin të kalojnë pushimet e vjeshtës në një destinacion që ofron shumë më tepër sesa plazhe. Një lajm i mirë që konfirmon suksesin e Shqipërisë në hartën turistike ndërkombëtare.

Shtetet e prejardhjes së vizitorëve të huaj:

Kosova – 9.5%

Italia – 8.1%

Gjermania – 7.9%

Franca – 4.2%

Anglia – 3.6%