Lajme

Konsullata e Kosovës në Cyrih nderon veteranët e luftës

Konsullata e Kosovës në Cyrih ka nderuar veteranët.

Në kuadër të 25-vjetorit të çlirimit dhe Ditës së Veteranit, ata kanë reflektuar mbi sakrificat heroike.

Në postimin e bërë, ndër të tjera, thuhet se ky 25-vjetor është një thirrje për të ndërtuar një të ardhme që mishëron drejtësinë, barazinë dhe dinjitetin – vlerat për të cilat luftuan dëshmorët dhe veteranët tanë.

POSTIMI I PLOTË:

Sonte, në një atmosferë të mbushur me krenari dhe emocione, përmbyllëm aktivitetet e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih për këtë vit, në mesin e veteranëve të luftës – themeli dhe nderi i lirisë sonë.

Në kuadër të 25-vjetorit të çlirimit dhe Ditës së Veteranit (të cilën e shënuam më herët), u ndalëm për të reflektuar mbi sakrificat e tyre heroike, mbi betejat për dinjitetin dhe të drejtën tonë për ekzistencë.

Veteranët e luftës janë dëshmia e gjallë e një brezi që jetoi dhe luftoi për një ëndërr të madhe – një Kosovë të lirë. Në këtë përvjetor, ne kujtojmë me mirënjohje çdo sakrificë dhe përulemi me respekt para dëshmorëve tanë të pavdekshëm.
Ky 25-vjetor është një thirrje për të ndërtuar një të ardhme që mishëron drejtësinë, barazinë dhe dinjitetin – vlerat për të cilat luftuan dëshmorët dhe veteranët tanë.
Lavdi dëshmorëve të kombit!
Zoti e bekoftë Kosovën dhe kombin shqiptar!