Ekspozita

Naim Selmonaj shpalos përjetimet e tij përmes skulpturës

Skulptori shqiptar sot ka mbi 100 skulptura të punuara nga çeliku, të cilat i ekspozon në galeri, hotele dhe restorante të ndryshme në Zvicër

Naim Selmonaj ishte fëmijë kur filloi të shfaqte interesimin për art. Deri sa ishte në Kosovë,  ai vizatonte dhe pikturonte me shumë dëshirë. Me emigrimin e tij në Zvicër atij i lindi një pasion, të cilin e ndjek edhe sot. Skulptura është forma e artit përmes së cilës Naimi sot i shprehë ndjenjat dhe përjetimet e tij. Duke përdorur çelikun si material kryesor, ai sot ka mbi 100 skulptura të cilat i ekspozon në galeri, hotele dhe restorante të ndryshme në Zvicër.

Naim Selmonaj ishte 18 vjeç kur emigroi në Zvicër, në vitin 1991. Fillimet e para për të ishin të vështira, deri sa u përshtat me ritmin dhe stilin e jetesës në shtetin helvetik. Ai nisi punë në industrinë e metalit, ku punonte në prodhimin e kasafortave për banka. Kjo ishte edhe periudha kur ai u njoh me formën e artit që më pas do bëhej profesioni i tij i të ardhmes.

E gjithë rruga e të krijuarit art nuk ishte e lehtë. Naimi u përball me sfida të ndryshme për të arritur ku është sot.

“Sfidat e mia si skulptor kanë qenë të ndryshme. Për shembull, përvoja ime në art ishte e kufizuar, sidomos këtu në Zvicër, dhe kisha mungesë informacioni. Në atë kohë nuk kishte rrjete sociale si sot dhe as internet të avancuar, kështu që kontaktet bëheshin direkt me njerëzit. Një sfidë tjetër ishte emri dhe prejardhja ime, të cilat ndonjëherë e vështirësonin integrimin në shoqërinë zvicerane. Në fund, fondet e pamjaftueshme ishin një tjetër pengesë për të përparuar ashtu siç dëshiroja“, thotë ai në një intervistë për albinfo.ch.

Skulptura si pasion, rrugë për të shprehur ndjenjat

Për Naimin, skulptura është më shumë se art. Për të, është formë e të shprehurit ndjenjat dhe përjetimet. Sot, skulpturat e tij shpërfaqin emocionet që ai ka brenda.

“Skulptura për mua është shumë më tepër se një art, ajo është pasioni im dhe mënyra ime për të shprehur ndjenjat dhe përjetimet. Çdo vepër më mbush me qetësi dhe më përmbush si artist. Kur kuptova natyrën dhe vlerën e metaleve, sidomos të inoxit që ka qëndrueshmëri dhe bukuri të veçantë, fillova të krijoj forma unike që reflektojnë emocionet e mia. Aty, në çdo linjë dhe detaj, përpiqem të përcjell një ndjenjë të veçantë, duke e bërë çdo skulpturë të jetojë në sytë e shikuesit“, ka thënë ai.

Ai thotë se edhe tek njerëzit e tjerë skulptura ka ndikim të veçantë. Kjo, për shkak të formave unike që i bëjnë ato tërheqëse. Në skulpturat e tij, Naimi përfshin elemente si uji dhe ndriçimi, si dhe ngjyra të buta. Të gjitha këto krijojnë një ndjesi arti modern që të fton të shijosh detajet, të punuara me përkushtim, të cilat reflektojnë në syrin e dashamirësve të artit.

Kur tregon për krijimin e artit të skulpturës, ai sqaron rreth materialeve që përdor për të ardhur tek realizimi i tyre. Inoxi është një nga to, për shkak të qëndrueshmërisë që ka ndaj kushteve atmosferike dhe korrozionit.

“Unë përdor kryesisht inox (çelik), një material që i reziston kushteve atmosferike dhe është i qëndrueshëm ndaj korrozionit. Inoxi (rostfrei) është materiali im i preferuar. Kam simpati për disa materiale të tjera, por si një skulptor modern, shkoj me kohën. Kam krijuar tashmë stilin tim unik në skulpturë, por sot kemi mundësinë të eksperimentojmë me materiale dhe teknika të riciklueshme, të cilat janë në përputhje me mbrojtjen e mjedisit”, ka thënë Naimi.

Inkuadrimi  në botën artistike në Zvicër

Naim Selmonaj sot njihet për skulpturat e tij në Zvicër. Ai ka thënë se përkushtimi ndaj artit dhe bashkëpunimi me personalitete të njohura, përfshirë impaktin e medieve sociale, kanë bërë që emir i tij sot të njihet në botën e artit të skulpturës.

“Ekspozimi i veprave të mia në hotele, galeri dhe restorante ka një ndikim të madh në pranimin e artit tim nga publiku. Kur skulpturat janë të pranishme në hapësira publike, ato bëhen pjesë e përditshmërisë së njerëzve dhe ofrojnë mundësinë që artin ta shijojnë dhe ta vlerësojnë ata që ndoshta nuk do ta kishin gjetur ndryshe. Hotelet dhe restorantet, si ambiente ku njerëzit kalojnë kohë dhe ndihen të relaksuar, janë hapësira ideale për të ekspozuar artin”, thotë ai.

Për të gjithë ata që e duan artin dhe skulpturën në veçanti, Naimi ekspozon veprat e tij në galerinë personale, e cila gjendet në punëtorinë e tij. Kjo ofron mundësi që vizitorët të njihen dhe të shohin nga afër procesin e krijimit.

Naimi sot ka më shumë se 100 vepra të cilat i ka punuar me emocion të veçantë. Andaj, thotë se, secila nga to ka vlerën e saj dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm në zhvillimin e tij profesional. Si dhe,  janë reflektim i përkushtimit dhe pasionit të tij për artin.

 

“Çdo skulpturë e imja ka një domethënie dhe përcjell një mesazh. Për shembull, kam një skulpturë ku një formë njeriu mban në duar një sferë të punuar me copa të vogla metali dhe në mes ka një sferë të ndriçuar që quhet Welt schützen (Mbrojtja e Botës). Përmes kësaj kam dashur të përcjell mesazhin se ne e kemi botën në duart tona dhe duhet ta mbrojmë dhe ta duam atë”, ka thënë ai.

“Krijimi i skulpturave me motive shqiptare, më plotëson si njeri”

Naim Selmonaj është skulptor i artit modern, andaj edhe veprat e tij kanë shprehje universale. Megjithatë, ka disa skulptura ku ai ka futur motive shqiptare.

“Kam krijuar disa skulptura me motive shqiptare, të cilat më plotësojnë si njeri”, është shprehur ai.

Në vitin 2021, ai ka prezantuar veprat e tij në ekspozitën “Jeta përmes metalit”, në Prishtinë, të cilat u pëlqyen tej mase nga publiku shqiptar.

“Një pjesë e madhe e ëndrrës sime u realizua kur mbajta ekspozitën “Jeta përmes metalit” në vitin 2021 në Prishtinë. Ishte një moment i veçantë për mua, pasi munda të prezantoj punën time artistike në vendin tim të origjinës. Në këtë ekspozitë paraqita disa vepra me përmasa të ndryshme, që pasqyronin filozofinë dhe ndjesitë që më ka dhënë arti i skulpturës. Për mua ishte një përvojë emocionuese dhe e papërshkrueshme të shihja reagimin e publikut shqiptar, që e pranoi dhe e vlerësoi me ngrohtësi artin tim”, ka thënë ai.

Ndërsa, ka shtuar se dëshiron që në të ardhmen ky udhëtim artistik të vazhdojë edhe në Shqipëri, ku planifikon të mbajë një ekspozitë në Tiranë. Kjo është një dëshirë e kahershme dhe Naimi shpreson ta realizojë së shpejti, për të ndarë artin e tij me më shumë njerëz në trojet shqiptare dhe për të ndërtuar lidhje të reja kulturore përmes skulpturave që krijon.

Ekspozita në Prishtinë

“Një pjesë e madhe e ëndrrës sime u realizua kur mbajta ekspozitën “Jeta përmes metalit” në vitin 2021 në Prishtinë. Ishte një moment i veçantë për mua, pasi munda të prezantoj punën time artistike në vendin tim të origjinës.