Kosova

Kosova do të prodhojë dy lloj municionesh dhe do të dizajnojë dronë luftarakë

Qeveria ka përzgjedhur kompaninë turke “Makine ve Kimya Endüstrisi” (MKE), e cila do ta ndërtojë fabrikën e municionit, kanë bërë të ditur për KOHËN burime në Ministrinë e Mbrojtjes.

“Faza e parë që duhet të kryhet brenda dy vjetësh, nënkupton që fabrika të nisë të prodhojë dy lloje municionesh. Njëri do të jetë i kalibrit 5.56 mm dhe tjetri 7.62 mm. Marrëveshja do të përfshijë edhe dizajnimin e fluturakeve pa pilotë”, ka thënë ky burim.

Sipas këtij burimi, në emër të Qeverisë, marrëveshjen me MKE-në do ta nënshkruajë kryeministri Albin Kurti.

Muajin e shkuar Qeveria e themeloi Komisionin Ndërministror për qëllim të vlerësimit dhe nisjes së procedurave dhe negociatave lidhur me hapjen e fabrikës për prodhimin e municionit dhe për laborator mbi dizajnimin e fluturakeve pa pilotë./Koha