Muzikë
Festa me një mesazh për shqiptarët: Të ruajmë gjuhën amtare
Nga manifestimi i mbajtur ditë më parë në Neunehof- Aargau për nder të Ditës së Pavarësisë dhe Flamurit Kombëtar
Në diasporën shqiptare, shkolla shqipe ka mbetur një vatër e fuqishme për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar. Një shembull i gjallë i kësaj përkushtimi ishte manifestimi madhështor i mbajtur në Neunehof- Aargau për nder të Ditës së Pavarësisë dhe Flamurit Kombëtar në Zvicër. Në këtë ngjarje, nxënësit shqiptarë, me zërin, vallet dhe pasionin e tyre, treguan se trashëgimia jonë kombëtare jeton me forcë të pashuar, edhe larg trojeve shqiptare.
Shpend Limoni, kryetar i Këshillit të Prindërve në Neuenhof, në hapjen e aktivitetit falënderoi të gjithë kontribuuesit, duke vënë theksin në bashkëpunimin harmonik mes mësuesve, prindërve dhe nxënësve. “Ky manifestim tregoi fuqinë e bashkëpunimit mes mësuesve, prindërve dhe komunitetit. Ruajtja e gjuhës dhe kulturës kërkon përkushtimin e të gjithëve. Më lejoni të veçoj afaristin Sherif Dakaj për ndihmën e tij të çmuar”, deklaroi ai.
Nga ana tjetër, Dr. Vaxhid Sejdiu, përfaqësues i Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri”, nënvizoi se ky manifestim është më shumë se një festim: “Është një përpjekje e vazhdueshme për të rrënjosur edukimin kombëtar te brezat që rriten larg atdheut. Shkolla shqipe është më shumë sesa mësim i gjuhës, është një qendër kulturore që i mbush fëmijët tanë me krenari kombëtare. Përgatitja e tyre është bërë gjatë aktiviteteve të lira, duke pasur si qëllim jo vetëm mësimin e gjuhës, por edhe zhvillimin kulturor të tyre. Apeli im për të gjithë shqiptarët në Zvicër është i qartë: dyert e shkollave shqipe janë të hapura dhe na duhet mbështetja e tyre për të shtuar numrin e nxënësve dhe për të ruajtur gjuhën dhe identitetin tonë kombëtar”.
Në këtë manifestim, emocionet ishin të gjalla dhe të prekshme. Poezitë, këngët dhe vallet e nxënësve preknin zemrat e të pranishmëve. Profesori Nafiz Maliqi, profesor i gjuhës shqipe dhe ish gazetar, vuri në pah rëndësinë e poezive dhe këngëve si mjete të ruajtjes së kulturës:“Manifestimi ishte i jashtëzakonshëm. Poezia ‘Nënë, më fol shqip’ më preku thellë. Të gjithë duhet ta kuptojnë rëndësinë e ruajtjes së gjuhës dhe kulturës sonë në diasporë”.
Në të njëjtën frymë, mësuesja e përkushtuar Qefsere Sejdiu ndau emocionet e saj: “Ky ishte një manifestim emocionues për të gjithë, sidomos për prindërit. Ne punojmë me dëshirë të madhe për të edukuar këta fëmijë që rriten larg atdheut. Gjuha është shtylla e identitetit tonë kombëtar. Nëse e humbasim atë, humbasim gjithçka. Prandaj, i ftoj prindërit ta mbështesin këtë mision duke dërguar fëmijët e tyre në shkollat shqipe dhe duke ua mësuar shqipen edhe në shtëpi”.
Në manifestim morën pjesë edhe valltarët e Shkollës së Vallëzimit “Shota,” duke dhuruar një shfaqje që pasqyronte traditën shqiptare. Shkëndije Bytyqi, drejtuesja e shkollës, nënvizoi: “Vallja dhe muzika janë pjesë e pandashme e identitetit tonë. Është detyra jonë t’ia përcjellim këtë pasuri brezave që vijnë”.
Nxënësit, të frymëzuar nga trashëgimia e tyre kulturore, shprehën krenarinë për përfshirjen në këtë aktivitet. Lina Limoni tha: “Ishte si të ndiheshe në atdhe. Kënga dhe vallja na mbushën me krenari.” Ndërsa Tana Limoni shtoi: “Kënga ‘Gjyshi dhe sharkia’ ishte një moment i veçantë që lidhej me traditën dhe respektin për mësuesit tim”.
Reshat Jonuzi, veteran i përpjekjeve për mësim në gjuhën shqipe, ndau një retrospektivë frymëzuese: “Që nga viti 1991, kemi punuar për të hapur pikat shkollore shqipe, duke nisur me pak fëmijë dhe arritur deri në 6000 nxënës në të gjithë Zvicrën. E gjithë kjo arritje ka qenë falë përkushtimit vullnetar të shumë mësuesve dhe prindërve. Fëmijët që flasin shqip kanë një avantazh të madh edhe në mësimin e gjuhëve të tjera”.
Ky manifestim ishte më shumë sesa një aktivitet festiv; ishte një thirrje e fortë për të gjithë shqiptarët që të bashkohen për të ruajtur gjuhën dhe kulturën tonë. Duke filluar nga fëmijët e deri te prindërit dhe mësuesit, të gjithë kontribuojnë në ndërtimin e një ure të fortë mes diasporës dhe atdheut.
Gjuha shqipe dhe tradita jonë janë shtyllat kryesore të identitetit kombëtar. Me angazhimin dhe përkushtimin e përbashkët, komuniteti shqiptar në Zvicër tregon se, pavarësisht largësisë, identiteti ynë kombëtar mbetet i gjallë dhe i fuqishëm.
Të ngjashme
Të tjera nga Muzikë
E-Diaspora
-
Rreth katër orë pritje në Merdarë për të dalë nga Kosova Edhe mëngjesin e së dielës kanë vazhduar pritjet e gjata për të dalë nga Kosova. Sipas...
-
Ka shkatërruar Ferrarin e tij, 43 muaj burg dhe 6 vjet dëbim për kosovarin
-
Avni Gallapeni, një krijues me vizion që lidh artin me industrinë
-
Zamfina Rexhaj vjen me një libër dygjuhësor me poezi
-
Kosova, gati për turneun “Yellow Cup” në Winterthur të Zvicrës
Jeta në Zvicër
-
Linja të reja fluturimi nga aeroporti i Bazelit Midis prillit dhe qershorit 2025, Easyjet do të shtojë një destinacion afrikano-verior dhe tre destinacione evropiane...
-
Pas incidentit në Graz, Zyra e Prokurorit Publik: Anëtari i ekuipazhit vdiq si rezultat i mungesës së oksigjenit
-
Policia kantonale ndaloi shtatë vetura që kishin 20 centimetra borë në çati
-
Zvicër, 2025: Biletat e udhëtimit do të kushtojnë më shumë
-
Zvicra do e kryesojë OSBE-në në 2026