Integrimi
Një projekt mbi “plakjen e shëndetshme” të komunitetit shqiptar të Zvicrës
Tryeza e parë për prezantimin e projektit është mbajtur më 9 dhjetor në Ambasadën e Republikës së Kosovës, në Bernë
“Në thelb të projektit STORYLINK është tregimi, ose të rrëfyerit si një instrument për të komunikuar komunitetet mes vete për përvojat e plakjes dhe kujdesit nëpër komunitete të veçanta. Përmes angazhimit publik të 20 grave dhe burrave të moshuar, gjysma me sfond migrimi dhe gjysma vendës, projekti bashkë-krijon një libër me tregime duke mbledhur përvojat e plakjes dhe kujdesit në Zvicër. Libri do të publikohet dhe diskutohet me publikun e gjerë, në ambiente të ndryshme në Zvicër”. Kjo është me pak fjalë përmbajtja e projektit mbi “përvojat e plakjes” të pjesëtarëve të komunitetit shqiptar të Zvicrës, dhe të moshatarëve të tyre vendës, zviceranë, në krye të të cilit është hulumtuesi shkencor, psikologu dhe shkrimtari, Shkumbin Gashi.
Tryeza e parë për prezantimin e projektit është bërë, jo rastësisht në Ambasadën e Republikës së Kosovës, në Bernë. Kjo, për faktin se projekti, ose faza e parë, aktuale e tij, i kushtohet “përvojave të plakjes” pikërisht të pjesëtarëve komunitetit shqiptar të Zvicrës dhe të moshatarëve të tyre zviceranë.
Të pranishëm në këtë prezantim ishin edhe ambasadori i Kosovës, Z. Mentor Latifi dhe këshilltarja, Shukrije Ramadani, të cilët po ashtu dhanë kontributin e tyre në debatin e zhvilluar me këtë rast.
Krahas bartësve të projektit, në paraqitjen e tij të parë publike kanë marrë pjesë edhe mjeke dhe aktiviste të komunitetit shqiptar të Zvicrës.
Projekti zhvillohet si pjesë punës së Universitetit të Shkencave të Aplikuara, të Bernës gjegjësisht Departamentit të Shëndetit. Në intervistën që Albinfo.ch ka zhvilluar me z. Gashi, ai flet për motivet që e kanë shtyrë atë dhe grupin realizues për të zhvilluar këtë hulumtim me rëndësi dhe për fazën në të cilën ndodhet.
Albinfo.ch: Si ka filluar projekti, ku i ka fillet dhe cilat janë motivet që ju kanë shtyrë t`i përvisheni pikërisht kësaj teme? Përse pikërisht shqiptarët?
Sh. Gashi: Projekti ka lindur si një reflektim nga projektet paraprake shkencore, ku vazhdimisht na ka sfiduar një dukuri që lidhet me idenë e gjithëpërfshirjes në shkencë. Pjesëmarrja si qytetarë hulumtues (ko-hulumtues), por edhe në aktivitete në përgjithësi, është e dominuar nga popullata me prejardhje zvicerane. Nacionalitetet e tjera, duke përfshirë edhe shqiptarët, kanë treguar më shumë hezitim dhe rezistencë për të qenë pjesë e projekteve të tilla. Kjo, bazuar në vëzhgimet tona, është pjesë e një problematike më të madhe sociale. Zvicra është vërtet një shtet multikulturor, por mangësia e këtij sistemi qëndron në faktin se njerëzit nga kombësi të ndryshme jetojnë në të njëjtat lagje dhe komunitete, por njohin shumë pak njëri-tjetrin dhe nevojat e tyre. Ndërveprimet mes fqinjëve nga nacionalitete të ndryshme, që shkojnë përtej mirësjelljes fqinjësore, janë përjashtime nga rregulli, sidomos ndërveprimet në grup. Kjo gjë vërehet edhe në ndërveprimet mes popullatës zvicerane dhe asaj shqiptare që jetojnë këtu. Sidomos në tema më të ndjeshme, të cilat ndikohen në manifestim edhe nga faktorë kulturorë, siç janë temat e pranimit të kujdesit dhe mbështetjes, ka një distancë të dukshme. Për këtë arsye, me qëllim që të mundësohet një dialog mes grupeve sociale që ndajnë të njëjtën hapësirë gjeografike, do të mbledhim dhe analizojmë histori dhe eksperienca të kujdesit, të cilat do të përmblidhen në një libër bilingual kreativ dhe biografik. Më pas, ky libër do të lexohet dhe diskutohet në komuna të ndryshme, me pjesëmarrës nga të dy komunitetet. Në fund të projektit, libri do të shpërndahet falas për të gjithë të interesuarit, qytetarë e institucione.
Albinfo.ch: Cilat janë institucionet ose fondacionet që e kanë mbështetur dhe a është materja që rrah ky projekt, pjesë studimi e ndonjë institucioni të shkollimit të lartë?
Sh. Gashi: Projektin e ka mbështetur financiarisht Fondi Nacional Shkencor dhe është projekt nën ombrellën e Universitetit të Shkencave të Aplikuara të Bernës, Departamentit të Shëndetit.
Albinfo.ch: Ju, në prezantimin e bërë në Bernë përmendët se “vëllimi i parë” i librit që do të lindë nga ky projekt, ka të bëjë me shqiptarët dhe zviceranët. A do të thotë kjo se në një të ardhme të afërt mund të ketë edhe libra të dytë, të tretë dhe a janë ato pjesë e projektit tuaj …?
Sh. Gashi: Po sigurisht. Ideja afatgjatë pas projektit është pikërisht kjo. Ne do të dokumentojmë procedurën gjatë gjithë projektit, nga mbledhja e të dhënave e deri te bashkë-krijimi i librit me qytetarët, me qëllim që të krijojmë një manual metodik për metodën e shkrimit kreativo-biografik. Ky manual më pas do të jetë në dispozicion të kujtdo – shkencëtarë, gazetarë, organizata joqeveritare apo të tjerë – që përmes artit të shkrimit kërkojnë të nxjerrin në pah informacione për tema me interes publik, qofshin ato shëndetësore, sociale apo të natyrave të tjera.
Albinfo.ch: Në cilën fazë ndodhet tani projekti, gjegjësisht kur mund të pritet të finalizohet ose të botohet libri?
Sh. Gashi: Projekti është ende në fazën fillestare. Me tryezën që u zhvillua më 9 dhjetor në Bernë, është bërë edhe hapja zyrtare e «STORYLINK», i cili është planifikuar të zgjasë gjithsej dy vite. Një prej produkteve qendrore të projektit, libri, nëse gjithçka shkon sipas planit, pritet të përfundohet pas rreth 13 muajsh.
Albinfo.ch: Si e vlerësoni tryezën që u zhvillua më 9 dhjetor në Bernë, a ka arritur atë që keni pritur?
Sh. Gashi: Ideja e tryezës ka qenë, para së gjithash, të prezantojmë projektin para aktorëve nga politika, shkenca, mediat dhe ekspertëve nga mjekësia, si dhe të zhvillojmë një diskutim rreth temës së kujdesit dhe mbështetjes, veçanërisht për moshat e shtyra. Ky diskutim ka qenë i rëndësishëm për ne si ekip projekti, pasi na ndihmon në planifikimin dhe zbatimin e mëtejshëm të projektit. Personalisht, jam jashtëzakonisht i kënaqur me tryezën, si për përmbajtjen dhe mbarëvajtjen, ashtu edhe për faktin që kemi qenë mysafirë të Ambasadës së Kosovës në Bernë, ku mbështetja e tyre në organizim ka qenë e jashtëzakonshme. Kjo tryezë ka shërbyer gjithashtu si një mundësi e shkëlqyer për rrjetëzim, që është një nga objektivat tona kryesore, pasi besojmë se një iniciativë si Storylink ka nevojë për mbështetjen, opinionet dhe perspektivat e aktorëve, si nga komuniteti shqiptar, ashtu edhe ai zviceran
Albinfo.ch: A do të ketë edhe tryeza ose podiume të ngjashme, pjesë të debatit publik, para botimit të librit?
Sh. Gashi: Po sigurisht. Në bazë, e gjithë ideja e projektit është që të funksionojë si një platformë që mundëson dialogun midis komunitetit shqiptar dhe atij zviceran, si dhe aktorëve të tjerë nga fusha e politikëbërjes dhe shkencës. Të paktën katër workshope (punishte) janë planifikuar në këtë fazë, para botimit të librit, ku do të ftojmë qytetarë dhe aktorë të tjerë nga të dy komunitetet për një analizë të përbashkët të historive të kujdesit, të cilat do të mblidhen nga ekipi ynë me persona të moshuar të prejardhjes shqiptare dhe zvicerane. Këto workshope do të jenë një mundësi ku ne, si ekip shkencor, së bashku me pjesëmarrësit, analizojmë historitë, ndërtojmë së bashku kuptimin e tyre dhe krijojmë skeletin e librit.
Albinfo.ch: Diçka mbi ekipin që është përfshirë në projekt: Sa veta janë dhe cilat janë detyrat e tyre?
Sh. Gashi: Pjesë e ekipit tonë janë dy hulumtues shkencorë dhe një ekspert komunikimi nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara të Bernës, si dhe dy qytetarë që do të bëjnë shkencë bashkë me ne – të njohur në zhargonin akademik si ko-hulumtues. Njëri prej këtyre ko-hulumtuesve është zonja Hava Kurti, me prejardhje shqiptare, gazetare dhe aktiviste sociale. Ndërsa tjetri, me kombësi zvicerane, është ende në fazën e përzgjedhjes. Gjithashtu, pjesë e ekipit janë edhe aktorë të tjerë si një përkthyes letrar, një trajner dhe ekspert i shkrimit, një ekspert grafik, dhe të tjerë që do të kontribuojnë në aspekte të ndryshme të projektit.
Debat mbi “plakjen e mirë”
“Nëpërmjet STORYLINK, ne aspirojmë të ndezim dialogun ndërkulturor shkencë-shoqëri mbi plakjen dhe marrjen e kujdesit. Sigurimi i përkujdesjes për një popullsi në plakje është një nga sfidat kryesore të shoqërive aktuale, prandaj OKB-ja ka shpallur periudhën 2021-2030 si “Dekadë e plakjes së shëndetshme”. Por për shkak të paragjykimeve që vijnë nga mosnjohja ka pak mundësi që njerëzit të zhvillojnë debat për të ndërtuar një kuptim personal se çfarë do të thotë plakje e mirë dhe se çfarë lloji konkret i kujdesit nevojitet për ta bërë këtë”, thuhet veç tjerash në prezantimin me shkrim, të projektit.
Të ngjashme
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Mbi 5,500 qytetarë të Kosovës morën leje pune në Gjermani, brenda 5 muajve Prej kur është zgjeruar Rregullorja e Ballkanit Perëndimor nga qeveria gjermane në qershor të këtij viti,...
-
Një projekt mbi “plakjen e shëndetshme” të komunitetit shqiptar të Zvicrës
-
Valdrin Gashi, një kosovar në skenat italiane të operës
-
Festa me një mesazh për shqiptarët: Të ruajmë gjuhën amtare
-
Restoranti “Letzigrund”, vazhdimësi e traditës së familjes Kqira
Jeta në Zvicër
-
Vlerësimet e ekspertëve privatë për vitin 2025: Çfarë pasojash priten për qiramarrësit dhe pronarët? Nga 1 janari 2025 do të hyjë në fuqi një rishikim i pjesshëm i Kodit të...
-
Të huajt me precedentë penalë a mund të marrin leje pune në Zvicër?
-
Një projekt mbi “plakjen e shëndetshme” të komunitetit shqiptar të Zvicrës
-
Simbolet naziste së shpejti do të ndalohen në Zvicër
-
Këshilli Federal refuzon tatimin mbi trashëgiminë e madhe