Lajme

Francë: Macron emëron Francois Bayrou si kryeministër të ri

Presidenti francez Emmanuel Macron emëroi Francois Bayrou si kryeministër të premten.

Kreu i ri i qeverisë zëvendëson Michel Barnier, i cili dha dorëheqjen javën e kaluar pasi ligjvënësit e ekstremit të djathtë dhe të majtë votuan për rrëzimin e qeverisë së tij.

“Presidenti i Republikës ka emëruar z. Francois Bayrou si kryeministër dhe e ka ngarkuar të formojë një qeveri”, tha Presidenca Franceze, duke mos dhënë më shumë detaje.

Përmbysja e qeverisë së Barnier e ka zhytur Francën në krizën e dytë të madhe politike në gjashtë muaj.

73-vjeçari Bayrou është një centrist që drejton partinë MoDem – aleate me partinë e Rilindjes së Macron – i cili shihej si i preferuari për këtë rol.

Ai është ish-ministër i drejtësisë dhe arsimit dhe anëtar i Parlamentit Evropian.

Tri herë një kandidat presidencial, në 2002, 2007 dhe 2012, Bayrou është shpallur prej kohësh si kreu i mundshëm i qeverisë.

Bayrou u shpall i pafajshëm në shkurt pas një çështjeje të gjatë mbi punësimin mashtrues të asistentëve parlamentar nga partia e tij. Gjykatësi vendosi se atij i detyrohej “përfitimi i dyshimit”.

Macron kishte shtyrë emërimin e një kryeministri të ri, duke humbur një afat prej 48 orësh që ai dha në një takim të martën me liderët e partive nga i gjithë spektri politik.

Bayrou tani bëhet kryeministri i gjashtë i Presidencës së Macron-it, me Barnier që ka qëndruar vetëm tre muaj./DW