Lajme

Austria urdhëron ndalimin e shqyrtimit të kërkesave të sirianëve për azil, pas rënies së Assadit

Qeveria në detyrë e Austrisë ka bërë sot të ditur se ka urdhëruar ndaljen e shqyrtimit të kërkesave të sirianëve për azil, pas rënies së Assadit.

Sirianët të cilët kanë ikur nga vendi i tyre gjatë 13 vjetëve të luftës civile, ishin pjesë e madhe e një milion njerëzve të cilët shkuan në Gjermani dhe Austri, sidomos gjatë krizës evropiane me imigrantë në vitet 2015 dhe 2016, transmeton albinfo.at.

“Kancelari Karl Nehammer e udhëzoi sot ministrin e Brendshëm, Gerhard Karner, t’i pezullojë të gjitha kërkesat e tanishme për azil dhe t’i rishikojë të gjitha rastet e dhënies së azilit. E kam udhëzuar Ministrinë ta përgatisë një program për riatdhesim dhe dëbim në Siri”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Austrisë.

Ministria tha se do t’i pezullojë edhe ribashkimet familjare, në bazë të të cilave familjet e refugjatëve mund t’u bashkohen atyre.

Ndryshe, sirianët janë grupi më i madh i azilkërkuesve në Austri, me 12.871 kërkesa këtë vit deri në nëntor, ndërsa është bërë e ditur se ende nuk është vendosur për 12.886 kërkesat për azil, prej të cilave 1.146 kanë të bëjnë me ribashkim familjar.