Zhvillim

Bizneset austriake kërkojnë siguri ligjore për të investuar

109 kompani nga Austria që zhvillojnë veprimtarinë e tyre biznesore në Kosovës  shprehen të pakënaqura me gjendjen e përgjithshme ekonomike e politike.
Në anketën “Zëri i biznesit austriak në Kosovë” të bërë nga Oda Ekonomike austriake në Kosovë, përfaqësuesit e këtyre kompanive kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës siguri më të madhe ligjore, mbrojtje të investimeve, luftë kundër korrupsionit dhe stabilitet politik.
 
Të dhënat e publikuara në Odën Ekonomike të Kosovës në kuadër të Barometrit të të bërit biznes, tregojnë se më shumë se gjysma e kompanive austriake që janë aktive në Kosovë vlerësojnë se gjendja e përgjithshme ekonomike e politike në vend nuk është e mirë.
Shumica prej tyre konsiderojnë se kjo gjendje nuk do të ndryshojë këtë vit krahasuar me vitin e kaluar.
“Gati dy e treta e tyre pret të ketë përmirësim në vitin 2015. 42 % të të anketuarve presin të ardhura më të larta për kompanitë e veta, ndërsa 57 % planifikojnë të bëjnë më shumë investime dhe të punësojnë më shume njerëz”, thuhet në komunikatën për media të OEK-ut.
Gerhard Schlattl, atashe ekonomik i vendosur në ambasadën e Austrisë në Shkup, ka thënë se në Kosovë janë përmirësuar disa indikatorë sidomos sa i përket dhënies se lejeve dhe licencave, por ende mbeten shumë sfida.
“Në pyetjen se çfarë kërkojnë nga qeveria aktuale kompanitë austriake janë shprehur se kërkojnë siguri më të madhe ligjore, mbrojtje të investimeve, luftë kundër korrupsionit dhe stabilitet politik”, tha Schlattl gjatë prezantimit të rezultateve të anketës, njofton OEK-u.
Se bizneset në Kosovë përballen me shumë sfida e pranon edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu.
Ai theksoi se vetëm nëpërmjet forcimit të sundimit të rendit dhe ligjit mund të bëhet tërheqja e investitorëve të huaj, jo vetëm nga Austria por edhe nga vendet tjera.
Në Kosovë veprojnë 109 kompani nga Austria. Anketimi është bërë gjatë periudhës dhjetor 2014 – shkurt 2015 dhe në të janë përfshirë kompani kryesisht të fushës së shërbimeve dhe të tregtisë.
Ndryshe investimet austriake në Kosovë deri tani janë në vlerë rreth 160 milionë euro, ndërkaq shkëmbimet tregtare janë në nivel të ultë, gjatë vitit të kaluar importi ishte në vlerë 35 milionë euro, kurse eksporti vetëm rreth 5 milionë.