Kosova

Kurti takoi shefen e re të diplomacisë evropiane, Kaja Kallas

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar sot në Bruksel me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas.

Pas takimit, Kurti para mediave deklaroi se nga liderët që ka Evropa sot, Kallas është në kohën e duhur, në vendin e duhur.

Ai theksoi se me Kallas diskutuan çështjet e progresit të Kosovës sa u përket integrimeve evropiane, por gjithashtu edhe raportet me Serbinë.

“Për të parën, unë theksova që kemi pasur rritje ekonomike dhe progres demokratik të paparë në Kosovën e pavarur. Njëkohësisht edhe kemi menaxhuar sfidat më të rënda të sigurisë, kërcënimet më serioze të cilat edhe rezultuan me vrasjen e rreshterit tonë policor, Afrim Bunjaku. Kryekrimineli i bandës që kreu këtë, mbahet i lirë dhe mbështetet nga Serbia. Pra, ne kërkojmë në atë takim çdoherë, në çdo takim dorëzimin e Millan Radoçiqit autoriteteve të Kosovës, ku tashmë Prokuroria ka një aktakuzë prej 160 faqesh për të dhe grupin e tij prej mbi dyzet veta”, tha Kurti. Ai bëri të ditur se ka insistuar që të mos diskutohet vetëm për dialogun, por gjithmonë kur përmendet dialogu, të përmendet Marrëveshja Bazike.

“Ne kemi një marrëveshje me Serbinë, e ka edhe një Aneks të Zbatimit nga Ohri. Marrëveshja Bazike është e arritur e rëndësishme, ajo duhet të respektohet dhe duhet të zbatohet e garanci për këtë është pikërisht nënshkrimi i saj. Dhe natyrisht që diskutuam edhe për sulmin e fundit që na u bë në Kosovë, eksplodimi i kanalit Ibër-Lepenc në Zubin Potok të Kosovës. Me këtë rast u rrezikua që më shumë se gjysma e popullsisë së vendit tonë, pra nën sulm ka qenë popullsia civile, të ngelet edhe pa ujë, edhe pa energji elektrike”, tha Kurti.

Për sulmin terrorist në Zubin Potok kryeministri kosovar tha se ka pasur punë jashtëzakonisht profesionale nga organet e shtetit dhe është arritur që të sanohet dëmi, teksa hetimet po zhvillohen.

“Po zhvillohet një hetim për këtë gjë. Ka njerëz të arrestuar, ka material të konfiskuar, përfshirë këtu edhe armatim e municion, me theks tek fakti që nga 74 distinktiva/emblema që u konfiskuan, njëzet prej tyre janë ruse, të njësive të ndryshme ruse, të tjerat janë serbe përgjithësisht. Është edhe një emblemë e UÇK-së aty, që na bën të mendojmë që dikush ka dashur që hetimin e ardhshëm të mundshëm ta drejtojë në pistë të gabuara apo siç quhet sot nga NATO-ja ‘false flag operation’, sepse nuk ka shpjegim ndryshe ajo emblemë e UÇK-së aty, por janë njëzet emblema të Rusisë në mesin e 74 sosh”, njoftoi Kurti.

Ndërsa kryediplomatja Kallas ka shkruar se rruga e vetme për anëtarësimin në BE të Kosovës dhe Serbisë është normalizimi i marrëdhënieve mes tyre, në bazë të Marrëveshjes së Ohrit.

Ajo, duke e cilësuar sulmin në kanalin e Ibër Lepencit si terrorist, ka thënë se ka mirëpritur gatishmërinë e të dy vendeve për zbardhjen e ngjarjes.

Sipas Kallas, autorët e sulmit në komunën e Zubin Potokut duhet të shkojnë para drejtësisë.

“U takova me Aleksandër Vuçiç dhe Albin Kurtin sot. Rruga e vetme për anëtarësim në BE është normalizimi i marrëdhënieve mes vendeve të tyre, në bazë të Marrëveshjes së Ohrit. E mirëprita gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar plotësisht pas sulmit të fundit terrorist. Autorët duhet të përballen me drejtësinë”, ka shkruar Kallas.