Integrimi

Iniciohet rrjeti i të rinjve dhe studentëve në Gjermani

Deri tani, Ministria e Diasporës ka iniciuar krijimin e rrjeteve në Austri, Zvicër, Slloveni dhe Kroaci.

Ministria e Diasporës, në kuadër të përgjegjësive dhe përmbushjes së objektivave dhe planit të veprimit që dalin nga Ligji mbi Diasporën dhe Mërgatën si dhe Strategjia për Diasporën dhe Mërgatën, ka iniciuar themelimin e rrjetit për të rinjtë dhe studentët në Republikën Federale të Gjermanisë, përkatësisht në landin Nordhein Westfalen – në qytetin e Dusseldorfit.

Sic thuhet në një njoftim të MeD-it,  ky rrjet u krijua në praninë e rreth 50 përfaqësues të shoqatave, individë, studentë dhe profesionistë të fushave të ndryshme.

Pas një diskutimi dy orësh, në ambientet e një biznesi të suksesshëm shqiptar, u krijua edhe grupi koordinues prej 8 vetash, përfaqësuese e së cilit grup është zgjedhur Xhevahire Jusufi, nga shoqata kuturore Ura Kult.

Anëtarët e tjerë të këtij grupi u zgjodhën: Teuta Abazi, Bledar Milaqi, Ardian Maksuti, Arbër Duraku, Diella Tasholli, Shqiprim Thaqi, Gonxhe Shala dhe Pleurat Mulaku.

Rrjete të tilla do të krijohen në një të ardhme të afërt edhe në vende të tjera ku ka përqendrim të të rinjve, studentëve, artistëve dhe sportistëve të diasporës.

Qëllimi i krijimit të këtij rrjeti është fillimisht vendosja e kontakteve të koordinuara mes të gjitha shoqatave, të rinjve dhe studentëve që jetojnë në diasporë, dhe bashkëpunimi në projekte të ndryshme të cilat do të ndihmojnë në avancimin e pozitës së tyre në shoqëri, shkëmbimin e përvojave dhe njohurive me studentë të Universiteteve të Kosovës, si dhe adresimin e të gjitha nevojave tek institucionet e Kosovës në formë të organizuar dhe institucionalizuar.

Nevoja për krijimin e këtij rrjeti është adresuar shpeshherë nga studentë dhe të rinj në diasporë.

“Të pranishmit u shprehën të kënaqur me këtë iniciativë si dhe u zotuan që në një të ardhme shumë të afërt edhe të vijnë me një plan konkret të veprimit për aktivitete dhe nisma të cilat planifikohet të bëhen me mbështetjen e Ministrisë së Diasporës si dhe rrjetit të bizneseve në diasporë – që njëkohësisht është projekt po ashtu i udhëhequr nga MeD”, thuhet në në njoftim për media nga kjo Ministri.