Të tjera

Skiatorja Lara Colturi ngriti flamurin e Shqipërisë në vendin e dytë

Skiatorja italo-shqiptare, Lara Colturi, ia doli që për herë të parë të ngjitej në podium si vendi i dytë në Kupën e Botës për Ski, në garën e Obergurgl në Austri.

Tifozët votuan 18-vjeçaren Colturi si më të preferuarën, duke i dhënë 69 % të pëlqimeve për atë që tregoi të shtunën e kaluar në pistë. Lara, në një intervistë për Federatën Ndërkombëtare të Skive ka rrëfyer emocionet e garës dhe faktin se nuk e priste këtë rezultat, ndaj ishte gati të qante.

“Jam vërtet shumë e lumtur. Ndihesha shumë mirë në stërvitje ditët e fundit, kam qenë duke u stërvitur me Henrik Kristoffersen (kampion i dyfishtë i botës) dhe disa djem të tjerë”, tha Colturi.

Lara tregon se ishte gati për të derdhur lot.

“Madje më erdhi të qaja pas garës, është thjesht e mrekullueshme. Më duhet të them se ishte një ditë shumë emocionuese. Qëllimi im ishte thjesht të përpiqesha të shprehesha sa më mirë, të ndihesha po aq mirë sa ndihesha në stërvitje”, u shpreh me tej Colturi.

“Pashë mamin dhe babin të emocionuar, aty ishin të pranishëm edhe gjyshërit e mi, ishte Yuri (vëllai i vogël) që ishte ndoshta më i emocionuari nga të gjithë. Ndihesha mirë dhe doja ta përcillja këtë në garë dhe ia arritëm”, tha ajo.