Integrimi

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, i mahnitur nga arritjet e mërgatës shqiptare në Zvicër

"Mërgata shqiptare nuk është ajo që ishte para 30 vitesh. Dikur, shumica ishin punëtorë ndërtimi, ndërsa sot kemi një mërgatë shumë më të avancuar..."

Kryetari i BDI-së (Bashkimi demokratik për Integrim), tani në opozitë, Ali Ahmeti, ka qëndruar për disa ditë në Zvicër, i shoqëruar nga një delegacion i lartë, për të vizituar vendet ku jeton dhe vepron mërgata shqiptare. Gjatë vizitës së tij, ai është shprehur i mahnitur nga zhvillimet, avancimi dhe ndryshimet pozitive brenda komunitetit shqiptar në Zvicër.

Në një intervistë ekskluzive për Albinfo.ch, Ali Ahmeti, një ndër politikanët më me ndikim të Maqedonisë së Veriut, i cili ka udhëhequr disa prej zhvillimeve dhe ndryshimeve më të mëdha në këtë republikë, ndau përshtypjet dhe qëndrimet e tij mbi mërgatën shqiptare, rolin e saj dhe sfidat aktuale.

Albinfo.ch: Tani që jeni në opozitë, sigurisht që keni më shumë kohë për vizita tek mërgata. Cilat janë prioritetet tuaja për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut që jetojnë në Zvicër?

Ali Ahmeti: Nuk është çështja që tani kam më shumë kohë; realisht tani kam më pak kohë se kur isha në pozitë. Brenda javës zhvilloj deri në tre takime me qytetarët dhe takohem me dhjetëra njerëz për të shpjeguar zhvillimet dhe strategjinë tonë. Kjo do të thotë që shtatë ditët e javës janë të mbushura me angazhime. Ne kemi një shqetësim të përbashkët: jemi të vendosur që Maqedonia e Veriut të jetë një vend me paqe, stabilitet dhe siguri të plotë, me marrëdhënie të mira ndëretnike dhe pa probleme me fqinjët. Por paralajmërimet për ndryshimin e ligjit të gjuhës janë një ogur i zi për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.

Albinfo.ch: A është vizita juaj këtu në këtë kontekst, për t’i paralajmëruar shqiptarët?

Ali Ahmeti: Vizita këtu ka pasur një qëllim tjetër. Jam ftuar nga shokët e mi të veprimtarisë së përbashkët për të përkujtuar ngjarjen e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mirëpo meqë tashmë jam këtu, mendova të bëja një takim me mërgatën shqiptare të Maqedonisë, për të festuar bashkërisht. Unë nuk kam marrë pjesë në festime të diasporës që nga viti 1998. Nga viti 2001 kam organizuar përvjetorët e 28 Nëntorit dhe 22 Nëntorit në vend. Këtë vit, pas 24 vitesh, mendova të festoja bashkë me mërgatën jashtë vendit dhe të shënonim 30-vjetorin e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Albinfo.ch: Në takimin e djeshëm pati një numër të madh pjesëmarrësish nga mërgata. Si e vlerësoni kontributin e diasporës, sidomos për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut?

Ali Ahmeti: Mërgata ka qenë unike dhe ka mbështetur gjithmonë lëvizjet dhe rezistencën në Kosovë e Maqedoni. Për shembull, kemi pasur organin “Zëri i Kosovës”, i cili botohej dhe shpërndahej edhe në diasporë. Kam shfrytëzuar këtë rast për të ndarë me ta shqetësimet lidhur me zhvillimet në vend, sidomos për gjuhën shqipe dhe ndryshimet e ligjit.

Albinfo.ch: A ka ndikim ndryshimi i qeverisë në këto zhvillime?

Ali Ahmeti: Po, sepse me shqiptarët tani po veprohet ndryshe. Nuk mjafton të jenë të përfaqësuar etnikisht; punësimi dhe përfaqësimi po bëhen mbi bazë të arsyetimeve profesionale të supozuara, ku shqiptarët shpesh përjashtohen.

Albinfo.ch: A po veproni vetëm në këtë mbrojtje, apo keni mbështetje nga faktorë të tjerë politikë, si Kosova dhe Shqipëria?

Ali Ahmeti: Sa i përket Shqipërisë, kryetarja e Kuvendit ka dhënë një deklaratë të fuqishme se prekja e gjuhës shqipe prek të gjithë kombin shqiptar. Por nga Kosova, jam pak i zhgënjyer me kryeministrin Kurti. Ai deklaroi se gjuha shqipe nuk ka qenë kurrë zyrtare në Maqedoni, gjë që është e pavërtetë. Shpresoj të ketë qenë i keqinformuar, sepse gjuha shqipe ka status të mbrojtur dhe të garantuar nga Marrëveshja e Ohrit dhe Kushtetuta e Maqedonisë. Kryeministri duhet të lexojë Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Marrëveshjen e Ohrit. Unë dua të besoj se kjo deklaratë është bërë për shkak të mungesës së informacionit të saktë, dhe jo nga ndonjë qëndrim i paramenduar.

Albinfo.ch: Si e shihni rolin e mërgatës shqiptare dhe a ka ndonjë plan për ta angazhuar atë më shumë në proceset politike në vendlindje?

Ali Ahmeti: Mërgata shqiptare nuk është më ajo e para 30 viteve. Dikur, shumica ishin punëtorë ndërtimi, ndërsa sot kemi një mërgatë shumë më të avancuar, të shkolluar dhe të institucionalizuar. Kam takuar mbi njëqind sipërmarrës shqiptarë të suksesshëm në Zvicër, që janë gjithashtu të përfshirë në institucione komunale dhe ministri. Gjithashtu, numri i studentëve shqiptarë në universitete prestigjioze zvicerane ka arritur në rreth 2,000, ndërsa në Bavari të Gjermanisë janë afër 1,200.

Kjo është një pasuri e madhe për ne dhe duhet të punojmë që kjo dije dhe profesionalizëm të transferohet në vendlindje. Po ashtu, sipërmarrësit shqiptarë duhet të koordinohen me investitorë zviceranë, gjermanë dhe austriakë për të sjellë investime në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Shqipëri. Sot, patriotizmi më i madh është kthimi në vendlindje me dije dhe vlera konkrete, jo vetëm me retorikë emocionale apo folklorike.

Albinfo.ch: A mendoni se sot “kthimi i trurit” është më i rëndësishëm sesa remitancat e dërguara nga mërgata?

Ali Ahmeti: Siç thotë një fjalë e urtë: Paraja nuk të bën njeri, njeriu e bën paranë. Nëse kemi dije dhe trurin e duhur, edhe paratë do të vijnë. Por nëse nuk kemi mendimin e organizuar, humbim edhe atë që kemi. Aktualisht, prioriteti ynë është të fokusohemi te ndërtimi i dijes dhe aftësive të reja profesionale, sepse ato janë bazë për zhvillim ekonomik.

Albinfo.ch: Ju keni shumë kuadro shqiptare të suksesshme në Zvicër. Deri në çfarë mase keni arritur të bashkëpunoni me ta?

Ali Ahmeti: Që prej 22 vitesh, dyert tona kanë qenë gjithmonë të hapura për mërgatën dhe për këdo që dëshiron të kontribuojë. Nëse arrijmë të transferojmë qoftë edhe një pjesë të vogël të dijes dhe përvojës së fituar këtu, do të jetë një rilindje e madhe për tokat tona.

Albinfo.ch: Një pjesë e komunitetit tonë investon shumë për ndërtimin e xhamive. A shihni ndonjë sfidë në këtë drejtim, veçanërisht kur lidhet me radikalizimin e disa të rinjve?

Ali Ahmeti: Të jesh besimtar i mirë do të thotë të jesh edhe një shqiptar i mirë. Besimi është diçka personale dhe nuk duhet të ndikohet nga veprime që duken të kundërta me vlerat kombëtare. Ne duhet të përqendrohemi më shumë te hapja e shkollave të gjuhës shqipe, sepse gjuha e nënës është baza e identitetit tonë. Në të kaluarën, Perandoria Osmane e ka ndaluar mësimin e shqipes, duke e konsideruar si “gjuhë të shtrigave”. Por rilindësit tanë hoxhallarë i hapën ato shkolla shqipe. Pra, është thelbësore që rinia jonë të mësojë shqipen, sepse ajo është baza e mençurisë dhe e përparimit.

Albinfo.ch: Ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Zvicër është shqiptar. A ka një rregull që pozita e ambasadorit i takon një shqiptari kur mërgata është kryesisht shqiptare?

Ali Ahmeti: Tradicionalisht, ambasadorët emërohen duke marrë parasysh përbërjen etnike të mërgatës. Kur mërgata është kryesisht shqiptare, ambasadori është zakonisht shqiptar, dhe anasjelltas. Megjithatë, ambasadori, qoftë shqiptar apo maqedonas, duhet të përfaqësojë interesat e të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të ndërtojë ura miqësie me shtetin ku vepron.

Albinfo.ch: Cili është mesazhi juaj për mërgatën shqiptare?

Ali Ahmeti: Nëse para 30 viteve mërgata mobilizohej për të ndihmuar rezistencën, sot sfida është ndryshe. Patriotizmi i vërtetë sot është të shkollohen, të investojnë dhe të kontribuojnë për vendlindjen. Zyrat tona janë të hapura 24 orë për mërgimtarët që duan të ndihmojnë në zhvillimin e Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Shqipërisë. Së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për brezat e ardhshëm.