Integrimi
Festivali që shkrin dallimet në mes të gjuhëve dhe kulturave
Fëmijët ishin në qendër të "Festivalit të gjuhës dhe kulturës", ku ata kanë shpërfaqur talentin e tyre në këngë, vallëzim, recitim, shkrim të poezive etj.
Festivali i gjuhës dhe i kulturës, një aktivitet kompleks që zhvillohet prej disa vitesh në qytete të ndryshme te Zvicrës, ka për qëllim, siç e tregon dhe emri, promovimin e kulturës, bashkëjetesës në mes të njerëzve të kulturave e gjuhëve të ndryshme.
“Festivali…” është fryt i një pune të përbashkët të një numri të madh shoqatash, organizatash që tubojnë të huajt e komuniteteve të ndryshme dhe i kontributit financiar të disa sponsorëve. Fëmijët janë në qendër të këtij festivali, ku ata shpërfaqin talentin e tyre në këngë, vallëzim, recitim, shkrim të poezive etj. Këtë vit kanë qenë rreth 250 fëmijë nga shumë vende të Zvicrës, të cilët kanë konkurruar me mjeshtërinë dhe talentin e tyre për kategori të ndryshme.
Ndërsa mbrëmjen e të shtunës, në sallën e madhe në Kongreshaus të Cyrihut, janë ngjitur në skenë vetëm më të mirët, ata që janë përzgjedhur.
Stenda shqiptare, me flamurin kombëtar dhe atë të Kosovës
Pjesë e festivalit ka qenë edhe ekspozita, e hapur në foajenë e sallës së përmendur. Aty janë ekspozuar veshje kombëtare, guida turistike, libra, instrumente muzikore dhe ushqime të kuzhinave përkatëse të disa komuniteteve dhe kantoneve. Nga komunitetet e huaja këtë vit pjesë e ekspozitës kanë qenë turqit, shqiptarët dhe boshnjakët. Ndërsa 9 kantone të Zvicrës janë përfaqësuar me specifikat e tyre nga të rinjtë e komuniteteve të përmendura.
Në mesin e stendave me gjësende dhe ushqime karakteristike të komuniteteve ishte edhe ajo e shqiptarëve, gjegjësisht stenda e përbashkët e Shqipërisë dhe Kosovës. Në këtë stendë ishin ekspozuar instrumente muzikore shqiptare, broshura e kartolina me përmbajtje nga historia e shqiptarëve si dhe disa specialitete të kuzhinës.
Prezantimi i shqiptarëve në këtë pjesë te festivalit i ishte besuar shoqatës nga Lucerni “Zambaku”. Siç na njoftojnë Bujar Demolli, kryetar dhe Adnan Mlika, nënkryetar, “Zambaku” është një shoqatë e formuar rishtas, në fokus të të cilës janë arsimi dhe kultura. Por, saktëson Demolli “ne nuk merremi me përgatitjen e programeve kulturore, muzikore etj.siç mund të mendohet por me organizimin dhe menaxhimin e kulturës gjegjësisht me prezantimin trashëgimisë sonë kulturore para vendësve dhe të tjerëve”.
Stendën shqiptare e kanë vizituar veç tjerëve edhe konsullja e Shqipërisë në Bernë Eliverta Radomi, ai i Kosovës në Cyrih, Salih Sefa dhe drejtoresha e Qendrës Kuoturore të Kosovës, Shukrije Ramadani.
Tingujt e instrumenteve tradicionale zvicerane, parakalimi i të rinjve dhe të rejave me veshje te ndryshme kombëtare i kanë shtuar gjallërinë kësaj pjese të programit.
“Ngjyrat e kësaj bote” dhe rapsodët e vegjël të SHKA “Dardania”
Pjesa artistike e programit ka qenë një kolazh me këngë, valle, lojëra e recitime. Një numër i madh fëmijësh kanë parakaluar në skenë dhe kanë shpalosur atë që dinë më së miri. “Ngjyrat e kësaj bote” ka qenë motoja e festivalit, dhe kjo është treguar me larushinë e ngjyrave të kostumeve kombëtare të disa komuniteteve, që kanë vërshuar skenën e madhe.
Komuniteti turk kishte mbi vete barrën më të madhe të organizimit të festivalit, kështu që edhe pjesa më e madhe e programit vinte nga ky komunitet. Megjithatë, në garë merrnin pjesë edhe artistë të vegjël shqiptarë, zviceranë dhe boshnjakë.
Tradita shqiptare këtu u prezantua në mënyrë të shkëlqyer nga SHKA “Dardania” e Vinterturit. Sidomos u pëlqen nga publiku dhe u duartrokitën gjatë dy rapsodët e vegjël, Arbnor e Rrezart Kuqi, të cilët patën një paraqitje shumë impresive me zërat e tyre fëmijërorë dhe me çiftelitë që i zotëronin aq mirë. Ata u shpërblyen me vendin e tretë në kategorinë e këngëve në gjuhën amtare.
Një prezantim po ashtu interesant e ka pasur edhe grupi i valleve i fëmijëve i kësaj shoqërie, i cili ka sjellë në skenë një lojë skenike të përgatitur me mjeshtëri nën përkujdesjen e kryetarit të shoqatës dhe koreografit të sajl, Shefqet Cakollit.
“Të huajt janë pasuri për Zvicrën”
Pikat më të dalluara artistike janë vlerësuar me shpërblime modeste në të holla, sipas kategorive, gjegjësisht: këngë në gjuhë të huaj, këngë në gjuhën amtare, valle, recitim dhe shkrim poezish. Ndarjen e çmimeve e kanë bërë politikanë të lartë zviceranë, të cilët kanë qenë të pranishëm gjatë gjithë kohës në këtë aktivitet.
Veçanërisht e angazhuar ka qenë deputetja nacionale dhe kandidatja për qeverinë Kantonit të Cyrihut, Jacqueline Fehr, pastaj ministrat aktualë në këtë qeveri, Martin Graf dhe Mario Fehr etj. Ata janë paraqitur edhe me fjalë rasti ku kanë folur për rëndësinë që ka shkëmbimi i kulturave për bashkëjetesën harmonike në mes të komuniteteve. Është lexuar po ashtu ehde një fjalë përshëndetjeje e ambasadorit të Kosovës në Zvicër, Naim Malaj.
“Të huajt dhe kultura që ata sjellin me vete, janë pasurim për Zvicrën”, kanë përsëritur folësit. Po ashtu ata kanë falënderuar fëmijët, prindërit dhe mësuesit e tyre për përgatitjen e programit të pasur artistik, i cili është treguesi më i mirë i vullnetit të tyre për integrim dhe gërshetim të suksesshëm kulturash.
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Mbrëmje kulturore kushtuar rrënjëve të qytetërimit tonë Kjo ngjarje e veçantë kulturore u kushtohej figurave madhore Shën Jeronimit dhe Shën Nënë Terezës, dy...
-
Rama nga Londra godet opozitën: Nxitën akte antishqiptare në tokë të huaj
-
Rama takohet me diasporën në Londër, pritet me protesta nga opozita
-
Edi Rama sot takon diasporën në Londër
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës
Jeta në Zvicër
-
Pasditen e së dielës pritet të rikthehen në qarkullim trenat në Gjenevë Stacioni i trenit Cornavin në Gjenevë është i mbyllur deri të dielën në orën 15:00 për...
-
Për njëzet vjet, Google ka ndihmuar në transformimin e Cyrihut
-
Banorët e Cyrihut duhet të ndajnë 45 franga për dritat e Krishtlindjeve
-
Zvicër: Mbi 12,000 raportime për fyerje
-
Çfarë nisma të tjera votojnë kantonet dhe qytetet në Zvicër?