Lajme
Nga 28 nëntori në kinematë gjermane, filmi i Enkelejd Llucës “Deti është qielli”
Në filmin me titullin në gjuhën gjermane "Das Meer ist der Himmel" rolin kryesor e luan aktori i njohur shqiptar nga Gjermania, Blerim Destani
Pas 15 vitesh, Leoni nga Frankfurti kthehet pa dëshirën e tij në vendlindje, në Shqipëri për të përmbushur dëshirën e fundit të gjyshit të tij të ndjerë: të shpërndajë hirin e tij në det. Ajo që fillon si një detyrë e thjeshtë bëhet një përballje e thellë me të kaluarën e tij dhe familjen që dikur kishte dashur të linte pas.
Me gjithë hezitimin fillestar, ai niset për një udhëtim nëpër Shqipëri, i cili e çon në vende dhe njerëz magjepsës, thuhet në prezantimin e distributorit të filmit, transmeton albinfo.ch. Në këtë udhëtim, Leoni rizbulon jo vetëm atdheun, por edhe veten e tij. Në fund, ai zbulon një sekret familjar të fshehur prej kohësh që ndryshon gjithçka.
Filmi poetik rrugor (Road Movie) “Deti është qielli” pasqyron çështjet e largimit, shpresës dhe njerëzimit në kohët e migrimit global. Protagonisti i tjetërsuar përjeton një transformim të thellë në udhëtimin e tij nga Gjermania e ftohtë në Shqipërinë e ngrohtë. Në filmin e tij të dytë artistik, regjisori gjermano-shqiptar Enkelejd Lluca, i ndikuar nga mjeshtra të mëdhenj si Fellini dhe Tornatore, ndërthur përvojat personale me momentet historike.
Filmi që mban titullin në gjuhën gjermane “Das Meer ist der Himmel” do të shfaqet në kinematë gjermane nga 28 nëntori 2024.
Leonhard (Blerim Destani) thjesht quhet Leon nga të gjithë. Së bashku me Nico (Murat Seven) ai punon për një pronare të paluajtshmërive, në Frankfurt… Një ditë Leoni mëson për vdekjen e gjyshit të tij Elias në Shqipëri. Kjo është një goditje e madhe për të, sepse ai është rritur prej tij. Më në fund, daja e bind të shkojë në Shqipëri për t’i bërë nderimet e fundit gjyshit të tij.
Pas ceremonive, Leoni mëson në hapjen e testamentit se Elias kishte një dëshirë të fundit. Leoni vendos të qëndrojë më gjatë në atdheun e tij – edhe kundër dëshirës së të afërmve të tij. Më pas shpaloset një aventurë emocionuese në të cilën Leoni përjeton një situatë të çmendur pas tjetrës dhe njihet me fotoreporteren gjermane Zoe (Ariana Gansuh)…
Puna mbresëlënëse e kamerës së Dennis Mill vë në pah mbresat e shumta nga vendi nëpër të cilin lëviz Leoni, në pamje të kompozuara mrekullisht, shkruajnë mediat gjermane në prag të shfaqjes së filmit në kinema, transmeton albinfo.ch. Pluhuri i rrugëve të shkreta, shterpësia dhe zbrazëtia e peizazhit, vetmia e të gjithë protagonistëve: Lluca ia del mbanë të çojë publikun në udhëtimin e një protagonisti që, në film, bën gjithçka që mundet për të mos lejuar që dikush t’i afrohet – dhe të cilit i afrohesh ende çuditërisht.
Takimet e shumta të rastësishme gjatë udhëtimit duken si një përrallë dhe e ndihmojnë Leonin të mësojë pak më shumë për veten përmes bisedave të shkurtra – Lluca shmang shumë dialogët dhe lë fotografitë të tregojnë atë që fjalët nuk munden.
Në film mund të shihen paralele me personazhin kryesor dhe jetës së regjisorit Ashtu si Leoni, edhe Enkelejd Lluca u largua nga Shqipëria që fëmijë. Ai erdhi në Gjermani me familjen e tij në vitin 1993 në moshën gjashtë vjeçare. Ai ka jetuar në Frankfurt që kur ishte 16 vjeç, shkruan Frankfurter Rundchau. “Ngjashëm me protagonistin tim, edhe unë e kisha shmangur vendin tim të lindjes. Nga turpi? Thjesht nga mosinteresimi? Unë vetë nuk e dija saktësisht. Në atë kohë, Shqipëria nuk ishte një destinacion i njohur udhëtimi sa sot dhe njihej vetëm për personazhët negativë në filma” thotë ai.
“Deti është qielli” është një prodhim nga PARK ELEVEN dhe DOMAR Film në bashkëprodhim me Saarländischer Rundfunk dhe është mbështetur nga Hessen Film & Medien dhe Saarland Medien.Është filmi i dytë artistik i Enkelejd Llucës pas filmit të tij të diplomimit “Frankfurt Coincidences”.
E-Diaspora
-
Vritet një shqiptar në Itali dhe plagoset vëllai i tij Policia italiane arreston dy persona me kombësi maqedonase...
-
Londër: Shqiptari është gjetur pa shenja jete
-
Osmani në Kanada takoi shqiptarë që janë rrëfime suksesi
-
Arianit Besiri fiton zgjedhjet, nga marsi – kryetar bashkie në Gjermani
-
Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih hap dyert për bashkatdhetarët
Jeta në Zvicër
-
Nestle sheh nevojën për veprim mbi çmimet e produkteve Nestle duhet të ndërmarrë veprime për çmimet për të inkurajuar konsumatorët të blejnë mallrat e saj,...
-
Zvicër: Bli tani, paguaj më vonë
-
Çfarë do të ndryshojë vota zvicerane për financimin e trajtimeve shëndetësore?
-
Si do të përfitojnë banorët e Gjenevës nga taksat më të ulëta mbi të ardhurat
-
Gati 75% e dëbimeve të urdhëruara në Zvicër në vitin 2023 janë kryer