Kosova

Raportohet për dy shtetas të Kosovës të arrestuar në Serbi, MPJD-ja kërkon konfirmim nga Serbia

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka dërguar kërkesë përmes Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, për të konfirmuar arrestimin e dy qytetarëve të Podujevës nga Serbia, për të cilin rast kanë raportuar mediat lokale në Podujevë.

“Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi i ka dërguar tashmë Qeverisë së Serbisë, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, një kërkesë formale për ta konfirmuar rastin, si dhe për të ofruar detajet tjera relevante, përfshirë identitetin e personave të arrestuar dhe lokacionin ku ata janë duke u mbajtur. Lidhur me këtë, janë njoftuar edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi dhe misionet diplomatike të vendeve të QUINT-it të akredituara në Beograd”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.