Maqedonia
CED: Ura që lidh Maqedoninë me Zvicrën përmes edukimit ndërkulturor
Të rinjtë si ndryshues të shoqërisë, përvoja nga kampet ndërkulturore në Zvicër
Qendra për Edukim dhe Zhvillim (CED) ka qenë një aktor i rëndësishëm në avancimin e edukimit ndërkulturor dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve që nga themelimi i saj në vitin 2006. Një pikë e rëndësishme në historinë e saj është bashkëpunimi me Fondacionin për Fëmijë Pestalozzi në Zvicër, i cili filloi në vitin 2009. Ky bashkëpunim ka për qëllim krijimin e mundësive për të rinjtë që të zhvillojnë aftësi ndërkulturore dhe të marrin pjesë në këmbime ndërkombëtare, duke nxitur tolerancën dhe respektin për diversitetin. Ky angazhim jo vetëm që u ka dhënë jetë një sërë iniciativash edukative, por ka ndikuar ndjeshëm në përmirësimin e komuniteteve ku jetojnë të rinjtë.
Metin Muaremi, aktivist nga Tearca, Maqedonia e Veriut, i cili ka drejtuar qëndrimin e fëmijëve të Maqedonisë së Veriut në qendrën “Pestalozzi” në Trogen, Zvicër, është një figurë e njohur për angazhimin e tij mbi dy dekada në komunitet. Si themelues i Qendrës për Edukim dhe Zhvillim (CED), ai ka udhëhequr projekte të rëndësishme në mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin ndërkulturor dhe institucional. Nën drejtimin e tij, Malet e Sharrit u shpallën Park Kombëtar, ndërsa projekte si “Dita e Fasules” dhe shkëmbimet ndërkulturore në Zvicër kanë promovuar qëndrueshmërinë dhe tolerancën. Për punën e tij në multikulturalizëm dhe paqe, Muaremi është nderuar me disa çmime prestigjioze ndërkombëtare.
Në vazhdim, intervista me z. Muaremi.
Albinfo.ch: Prej kur ka filluar bashkëpunimi mes CED dhe Fondacionit për Fëmijë Pestalloci, Zvicër? Cilat ishin objektivat fillestare të këtij bashkëpunimi?
M. Muaremi: Qendra për Edukim dhe Zhvillim funksionon që nga viti 2006, ndërsa kontaktet e para me Fondacionin Botëror Pestaloci në Zvicër i ka vendosur në vitin 2009. Si rezultat i një projekti të realizuar nga CED gjatë asaj periudhe, që kishte për qëllim shënimin e Javës Botërore të Fëmijëve dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve në tre qytete të Maqedonisë – në komunat e Tetovës, Kumanovës dhe Kavadarit – arritëm të shfaqim vlerat dhe aftësitë tona në nivel ndërkombëtar. Nga ky bashkëpunim na u dha mundësia që, duke filluar nga viti 2010, 4-5 të rinj nga rajoni ynë, së bashku me moshatarë nga e gjithë Maqedonia, të marrin pjesë në një këmbim dyjavor në Fshatin e Fëmijëve në Trogen, Zvicër. Ky numër u rrit ndër vite, dhe që nga viti 2012, si organizatë kemi dërguar çdo vit 2 deri në 3 grupe me nga 40 fëmijë adoleshentë në këmbimet dyjavore në Zvicër. Deri tani, mbi 1500 të rinj, të udhëhequr nga më shumë se 200 edukatorë dhe vullnetarë të organizatës sonë, kanë marrë pjesë në këto këmbime ndërkulturore si rezultat i këtij bashkëpunimi.
Ajo që e bën unike këtë këmbim, është shpesh për herë të parë në Trogen si vend neutral, të rinjtë shqiptarë dhe maqedonas diskutojnë me bashkëmoshatarët e tyre për tema, siç janë gjuha, kultura, identiteti, zgjidhje e konflikteve në mënyrë paqësore, duke u ballafaquar edhe me fëmijë të kulturave nga shtete të ndryshme evropiane. Me rëndësi është ajo se gjatë të qëndruarit, respektohen të gjitha gjuhët, gjë që i bën ata të jenë tolerantë dhe më të hapur ndaj kulturave të tjera.
Albinfo.ch: Çfarë roli luan CED në organizimin e kampeve ndërkulturore? A është CED i përfshirë në përzgjedhjen e pjesëmarrësve apo në mbështetjen e aktiviteteve?
M. Muaremi: Ashtu si Fondacioni “Pestaloci”, edhe CED promovon bashkëjetesën paqësore në mbarë rajonin, duke forcuar aftësitë dhe të drejtat e fëmijëve. Ne besojmë se aftësia ndërkulturore është një kualifikim kyç për çdo individ në botën e sotme globale dhe ka rëndësi të madhe për të menduar globalisht dhe për të vepruar lokalisht, që është edhe fokusi i punës së organizatës për 18 vite. Përveç kompetencave ndërkulturore, të cilat mund të zhvillohen përmes mësimit ndërkulturor të ndërgjegjshëm dhe kontakteve të drejtpërdrejta me diversitetin – përvoja që fëmijët e fitojnë në Fshatin e Fëmijëve – përzgjedhja për këto programe përfshin të rinjtë që kanë vullnet të bëjnë ndryshime në shoqëri, përmes punës me veten, që ne e konsiderojmë një element kyç të këtij programi.
Albinfo.ch: Si përzgjidhen pjesëmarrësit për kampin ndërkulturor? A ka kritere të caktuara për të rinjtë që dëshirojnë të marrin pjesë?
M. Muaremi: Çdo vit, në muajt janar, qershor dhe gjatë verës, organizohen këto këmbime për të cilat hapet një thirrje e hapur ku të rinjtë mund të aplikojnë, duke plotësuar kriteret e përcaktuara. Pas aplikimeve të shumta, të përzgjedhurit marrin pjesë në disa takime përgatitore, ku, përveçse njihen me programin, njoftohen edhe me rregullat që duhet të respektojnë gjatë qëndrimit në Fshatin e Fëmijëve. Këto takime u japin mundësinë të rinjve të njohin moshatarët e tyre dhe të përgatiten për sfidat që mund të hasin gjatë kampit.
Ajo që e bën këtë program të veçantë është se të rinjtë pjesëmarrës përgatisin një plan aksional gjatë qëndrimit në Zvicër, i cili synon shpërndarjen e njohurive të fituara edhe pasi të kthehen. Kjo, në një farë mënyre, garanton që ata të vazhdojnë të shfaqin aftësitë e tyre udhëheqëse në shoqëritë ku jetojnë.
Albinfo.ch: Si është strukturuar një ditë tipike në kamp? Çfarë aktivitetesh kryesore përfshin dhe si janë ndarë këto aktivitete?
M. Muaremi: Gjatë qëndrimit dyjavor të fëmijëve në Fshatin e Fëmijëve, ata jetojnë në shtëpi të ndërtuara në vitet ’40, ku kanë mundësi të marrin pjesë në punëtori mbi çështjet ndërkulturore dhe të drejtat e fëmijëve, si dhe të angazhohen në shkëmbime me të rinj nga Zvicra dhe vende të tjera të Evropës. Ky program përfshin katër shtyllat e edukimit gjithëpërfshirës, sipas përkufizimit të UNESCO-s, dhe mbështetet në trihotominë unë-ti-ne të edukimit ndërkulturor. Programet bazohen në pedagogjinë pjesëmarrëse, ku mësimi kuptohet si një proces i ndërlidhur me aktivitetet e mësimit.
Fëmijët kanë mundësi të marrin pjesë në çdo aspekt të shkëmbimit: kujdesen për pastërtinë e shtëpisë, përgatisin ushqimin dhe bëhen më të pavarur si individë në shoqëri. Punëtoritë e mbajtura nga pedagogët zviceranë luajnë një rol të rëndësishëm në këtë proces të pavarësimit dhe zhvillimit të tyre. Në punëtoritë të cilat çdo ditë realizohen, temat që përfshihen fëmijët janë njohja e vetes, identiteti personal dhe ai kulturor, zhvillimi personal, e deri në përgatitjen e temave për intervenim nëpër vendet kur kthehen.
Albinfo.ch: Çfarë roli kanë të rriturit që i shoqërojnë të rinjtë në kamp? A ka aktivitete të veçanta për ta? Si ndihmon ky bashkëpunim në zhvillimin e aftësive të tyre?
M. Muaremi: Roli i të rriturve në këto këmbime është shumë i rëndësishëm për disa arsye. Përveçse kujdesen për mbarëvajtjen e programit gjatë dy javëve, ata kanë mundësi të marrin pjesë edhe në trajnime të veçanta për të kuptuar metodologjinë e punës me fëmijët. Kjo u jep mundësinë që, pasi të kthehen, të zbatojnë aftësitë dhe metodologjitë e fituara në vendet e tyre të punës. Duke qenë se shumica e tyre janë edukatorë, kjo ka një ndikim edhe më të madh dhe kontribuon në përmirësimin e praktikave edukative në komunitet.
Albinfo.ch: Si vlerësohet ndikimi i kampit te të rinjtë? A ka programe që ndihmojnë të rinjtë t’i zbatojnë ato që kanë mësuar në komunitetin e tyre?
M. Muaremi: Gjatë aktiviteteve dhe kampeve ndërkulturore, të rinjtë mund të zhvillojnë aftësi të rëndësishme si kompetencat ndërkulturore, të udhëheqjes dhe të komunikimit. Përmes mësimit ndërkulturor të ndërgjegjshëm dhe kontaktit të drejtpërdrejt me diversitetin, ata fitojnë një kuptim më të thellë për kulturat e ndryshme dhe përforcojnë aftësitë e tyre për të bashkëjetuar dhe bashkëpunuar me njerëz nga sfondet e ndryshme. Këto aftësi i bëjnë të rinjtë më të hapur dhe të gatshëm për të marrë përgjegjësi, duke kontribuar në Ndikimi i kampit vlerësohet përmes zhvillimit të përgjithshëm pozitiv që përjetojnë të rinjtë, të cilët shpesh dallohen më vonë si liderë në shkollat dhe bashkësitë e tyre. Përmes përvojave ndërkulturore, ata përforcojnë aftësitë e tyre për të ndërmarrë përgjegjësi dhe për të ndikuar pozitivisht tek bashkëmoshatarët, duke promovuar një bashkëjetesë të qetë dhe të ndjeshme ndërkulturore në bashkësi.
Aftësitë ndërkulturore janë thelbësore në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur, duke ndihmuar të rinjtë të mendojnë globalisht dhe të veprojnë lokalisht. Këmbimet ndërkulturore, si ato në fshatin e fëmijëve Pestalloci, ofrojnë një përvojë të pasur ku të rinjtë zhvillojnë përgjegjshmëri personale dhe shoqërore përmes bashkëjetesës, njohurive për të drejtat e fëmijëve dhe ndjeshmërisë ndaj diversitetit. Përmes trajnimeve dhe bashkëpunimit me të rinjtë nga kultura të ndryshme, ata krijojnë një bazë të fuqishme për udhëheqje dhe përfshirje aktive në komunitet.Fondacioni për fëmijë Pestalloci është themeluar në vitin 1946. Ka përvojë mbi 60 vjet në fushën e edukimit ndërkulturor dhe këmbimeve. Fondacioni implementon rreth 20 projekte në vit për këmbim në fshatin e fëmijëve, e cila është ndërtuar për nevojat e fëmijëve/të rinjve.
Në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur, edukimi ndërkulturor që promovon mirëkuptimin dhe respektin reciprok është një imperativ. Përvoja e CED-së dhe Fondacionit për Fëmijë Pestalloci tregon fuqinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për të krijuar liderë të rinj me përgjegjshmëri sociale dhe aftësi për të ndikuar pozitivisht në shoqëri. Me mbi 1500 të rinj të përfshirë deri më tani, ky program ka pasuruar jetën e tyre me përvoja të vlefshme, duke i pajisur me mjete që do t’i ndihmojnë të ndërtojnë një të ardhme më të mirë për veten dhe për komunitetet e tyre. Kjo është dëshmi e qartë se investimi në edukim dhe në shkëmbime ndërkulturore kontribuon në krijimin e një shoqërie më të harmonishme dhe të qëndrueshme.
Intervistoi: Luljeta Ademi
E-Diaspora
-
Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih hap dyert për bashkatdhetarët Çdo të premte, nga ora 13:00 deri në 14:00 (përveç festave zyrtare), ata mund të vizitojnë...
-
Urim Dakaj, edhe një mandat në Asamblenë e Neuhausenit
-
Klodina Guraziu e para shqiptare e zgjedhur në asamblenë e komunës Rebstein
-
Hilmi Gashi rizgjidhet asamblist në Muri-Gümligen në Bernë
-
Hamza vazhdon fushatën në Gjermani, takoi bashkatdhetarët në Hannover e Köln
Jeta në Zvicër
-
Çfarë do të ndryshojë vota zvicerane për financimin e trajtimeve shëndetësore? Nga katër çështjet kombëtare që qytetarët zviceranë votuan në referendumet e 24 nëntorit, vetëm një u...
-
Si do të përfitojnë banorët e Gjenevës nga taksat më të ulëta mbi të ardhurat?
-
Punëtorët zviceranë të ndërtimit negociojnë rritjen e pagave
-
Ticino gjatë rindërtimit pas stuhisë së verës, e lënë pas dore nga qeveria federale
-
Klodina Guraziu e para shqiptare e zgjedhur në asamblenë e komunës Rebstein