Kosova

Lajçak njofton se takimi i radhës për dialogun mbahet në dhjetor

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka njoftuar se takimi i ardhshëm mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, do të mbahet në muajin dhjetor.

“U angazhova në diskutime të rëndësishme mbi dialogun dhe rrugën përpara. Këto biseda janë kritike në formësimin e punës që po bën ekipi im, ndërsa përgatitemi për takimin e ardhshëm të kryenegociatorëve në dhjetor. Pres me padurim periudhën e ardhshme”, ka shkruar ai.

Takimi i fundit në nivel të kryenegociatorëve është mbajtur më 24 tetor.

Pas takimi Bislimi pati thënë se nuk ka pasur rezultate në pikën rreth ecjes përpara në normalizim të raporteve me Serbinë. Ai e pati quajtur rund të dështuar takimin me Petkoviqin e Serbisë, nën ndërmjetësimin e emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Ndërkohë Petkoviqi pati deklaruar se bisedimet ishin të mundimshme dhe se delegacioni i tij ka insistuar në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.