Kosova

Nga çdo kontinent, Kosova paguan qindra miliona për import të veturave

Mbi 27 mijë vetura, gati 364 milionë euro. Nga Amerika e Veriut dhe e Jugut, Azia, Afrika e Australia…

Përgjatë dhjetë muajve të parë të 2024-tës, në Kosovë kanë hyrë dhjetëra mijëra vetura nga vende të huaja. Si në vitet e kaluara, edhe gjatë këtij viti, Gjermania mbetet eksportuesja më e madhe e veturave në Kosovë.

Gjermania mbetet vendi, nga i cili Kosova importon dukshëm më së shumti vetura. Por, ato importohen edhe nga shtete më të largëta.

Ndonëse Gjermania mban vendin e parë, viteve të fundit janë importuar shumë vetura edhe nga vendet aziatike si: Kina, Koreja e Jugut dhe Japonia.

Për importimin e këtyre veturave u shpenzuan qindra miliona euro.

Nëse vazhdon trendi i njëjtë edhe gjatë pjesës së fundit të këtij viti, 2024-ta do të bëhet viti me më së shumti shpenzime për importim të veturave nga jashtë.

Nga janari deri në tetor të 2024-tës, në Kosovë u importuan vetura në vlerë prej mbi 360 milionë eurosh.

Këto shpenzime kanë rezultuar edhe në të ardhura për shtetin, për shkak të taksave që paguhen kur importohen veturat – taksa e doganës, akciza dhe TVSH-ja (Tatimi mbi Vlerën e Shtuar).

Taksa e doganës është një tarifë që aplikohet bazuar në vlerën e mallit, kur ai të importohet dhe të eksportohet.

Akciza është një tarifë e veçantë që zbatohet mbi disa produkte që cilësohen si mallra luksi.

Ndërsa, TVSH-ja është një tatim që paguhet nga blerësi i fundit i një shërbimi apo një produkti.

Të gjitha këto taksa së bashku gjenerojnë të ardhura për shtetin.

Në Kosovë, ato kanë gjeneruar tashmë më shumë të ardhura sesa në vitet e kaluara, ende pa i llogaritur dy muajt e fundit të vitit.

Gjatë këtij viti, edhe pse ka të dhëna vetëm për muajt janar-tetor, Kosova ka arkëtuar më shumë të ardhura nga veturat e importuara se në vitet paraprake. Nga taksat e doganës, akcizës dhe TVSH-së, janë arkëtuar plot 111.9 milionë euro.

Për veturat elektrike, në Kosovë është paraparë lirimi nga taksa e regjistrimit, në mënyrë që të nxitet blerja e tyre, si ndotëse më të vogla të ambientit.

Megjithatë, shumica e veturave të importuara në Kosovë nuk janë elektrike.

Pjesa më e madhe e tyre as nuk janë të reja, por të përdorura.

Shumica e veturave të importuara gjatë periudhës janar-tetor të 2024-tës kanë qenë të përdorura. Vetëm më pak se 2.000 vetura të reja janë importuar.

Ligji për automjetet në Kosovë parasheh që veturat e importuara që janë më të vjetra se dhjetë vjet, nuk mund të regjistrohen.

Përkundër kësaj, në dhjetë muajt e parë të këtij viti janë importuar 42 vetura të tilla. Pa mundësinë e regjistrimit, ato mund të përdoren vetëm për pjesë këmbimi./ REL