Kosova

Presidenca publikon arsyetimet pasi Osmani ktheu për rishqyrtim në Kuvend dy ligje

Presidentja Vjosa Osmani ia ka kthyer për rishqyrtim Kuvendit të Kosovës Ligjin për Këshillin e Sigurisë së Kosovës dhe Ligjin për mbrojtjen e konsumatorit.

Presidenca ka publikuar arsyetimet për kthimin e këtyre dy ligjeve dhe tha se “bazuar në kompetencat e saj kushtetuese, Presidentja Osmani ka përdorur të drejtën e vetos, duke kthyer dy ligje për rishqyrtim në Kuvendin e Kosovës”.

Presidenca tha se Ligji për Këshillin e Sigurisë është kthyer për shkak se me përmbajtjen aktuale e rrezikon sigurinë kombëtare dhe është në kundërshtim me Kushtetutën.

Ndërkaq Ligji për mbrojtjen e konsumatorit është kthyer për shkak të dispozitave të caktuara të cilat rrezikojnë mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të qytetarëve, të drejta këto të garantuara me Kushtetutë.