Lajme

Limaj në Gjermani tha se mbështetja e mërgimtarëve është forcë për Kosovën

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, së bashku me partnerët e koalicionit ka zhvilluar një vizitë në Augsburg, ku është mirëpritur nga qindra bashkatdhetarë.

“Së bashku me partnerët e koalicionit, u mirëpritëm nga qindra bashkatdhetarë në Augsburg, ku u konfirmua edhe një herë mbështetja e parezervë për koalicionin tonë”, tha ai.

Limaj përsëriti mesazhin e rëndësishëm se integrimi i Kosovës në NATO mbetet një prioritet kyç për konsolidimin e shtetësisë, ndërsa zhvillimi ekonomik, duke forcuar bashkëpunimin me bizneset e Diasporës, do të jetë një nga fokuset kryesore.

“Ne e përsëritëm mesazhin se integrimi në NATO është prioriteti ynë në konsolidimin e shtetësisë tonë, ndërsa zhvillimi ekonomik, përmes bashkëpunimit me bizneset tona të fuqishme në Diasporë, do të jetë një nga fokuset tona. Ne u zotuam se do të vazhdojmë angazhimin tonë të përbashkët, derisa mbështetja e marrë nga mërgimtarët tanë është një forcë shtytëse për realizimin e programit tonë për Kosovën euroatlantike”, u shpreh Limaj.