Kinema
Ben Apolloni: “Tri Net Film Fest” ka krijuar tashmë emrin dhe adresën e tij
Intervistë me regjisorin e njohur, Ben Apolloni, përzgjedhës i festivalit “Tri Net Film Festival" që u zhvillua në Spreitenbach, Zvicër
Në këtë intervistë, kemi kënaqësinë të bisedojmë me regjisorin dhe producentin Ben Apolloni, një emër i njohur në kinematografinë shqiptare, i cili ka kontribuar në krijimin e disa projekteve të rëndësishme filmike. Edicioni i tretë i “TriNet Film Festival” ka ofruar një mundësi të shkëlqyer për të njohur më thellë përvojat dhe perspektivën e tij mbi industrinë e filmit, sfidat dhe mundësitë që ky festival ofron për kineastët shqiptarë dhe rajonalë. Me pasionin dhe angazhimin e tij, Apolloni, si përzgjedhës i filmave, ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e këtij festivali. Në këtë intervistë, ai ndan me ne përvojat e tij nga festivali dhe planet për të ardhmen.
Albinfo.ch: Si do ta përshkruanit edicionin e sivjetëm të TriNet Film Festival? Cilat ishin pikat më të forta dhe çfarë e bëri këtë edicion të veçantë?
B. Apolloni: Edicioni i tretë i “TriNet Film Fest” ishte edicion i cili iu dedikua tërësisht kinematografisë shqiptare, duke sjellë në program filma nga e gjithë gjeografia shqiptare dhe diaspora. Kjo ishte e veçanta e këtij edicioni dhe siç e keni parë edhe ju, ishte një edicion që audiencën e provokoi, e emocionoi dhe e nxiti edhe të debatojë me kineastët e pranishëm në festival. Këto edhe ishin qëllim i yni dhe jemi gëzuar që u realizuan.
Albinfo.ch: Cilat ishin disa nga sfidat më të mëdha që ekipi organizativ dhe pjesëmarrësit hasën këtë vit në organizimin e festivalit? Si arritët t’i kapërceni ato?
B. Apolloni: Mendoj se sfida kryesore ka qenë krijimi i një programi të vlefshëm, tre ditor, pasi tek ne, për fat të keq, ka pak prodhimtari kinematografike. Dhe kur vendosëm që ky edicion të jetë vetëm me filma shqip, unë isha i brengosur nëse do t’ia arrijmë të bëjmë një program dinjitoz. Por më duket se në fund ia dolëm dhe mendoj se ka pasur filma shumë të mirë në program. Filma që kanë ecur e po ecin nëpër festivale të mëdha. Natyrisht ka pasur edhe sfida tjera, organizative, por që falë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe sponsorëve janë tejkaluar dhe mendoj që edicioni i tretë ishte dinjitoz dhe na dha kurajo që të vazhdojmë edhe me më shumë përkushtim për edicionin katër.
Albinfo.ch: Si mendoni se ka evoluar TriNet Film Festival pas dy tri vitesh çfarë e dallon edicionin e këtij viti nga edicionet e kaluara?
B. Apolloni: Sigurisht që ka evoluar. TriNet Film Fest tani më në edicionin e tij të tretë ka krijuar emrin, adresën, ku kineastët do të mund të prezentojnë dhe promovojnë krijimtarinë e tyre. Ky edicion na siguroi që Festivali ka krijuar miqtë e tij që do ta përkrahin, sepse duke e përkrahur Festivalin, miqtë tanë dhe institucionet, do ta përkrahin kulturën tonë e cila ka shumë, po shumë nevojë që të promovohet në Evropë e botë.
Albinfo.ch: Cilat janë disa nga temat ose zhanret e filmave që u theksuan më shumë këtë vit? A kishte ndonjë tendencë të re apo qasje që ishte më e dukshme?
B. Apolloni: Regjisorët kishin trajtuar tema të ndryshme, me qasje nga më interesantet, duke treguar që aspak nuk janë inferior në raport me kolegët e tyre nëpër botë. Krejt çka ata kanë nevojë është përkrahja më e madhe dhe, duke u nisur nga filmat që pamë këto tri net, jam i sigurt që kineastët tanë kanë potencial për ta “pushtuar” botën.
Albinfo.ch: Për sa i përket pjesëmarrjes së kineastëve të rinj, si ishte prania e tyre në festival këtë vit? A patë ndonjë projekt që ju la veçanërisht përshtypje?
B. Apolloni: Në festival pati mysafirë, artistë, kineastë, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Presheva e nga vende të ndryshme nga diaspora shqiptare, që ia shtuan vlerën kësaj feste kinematografike dhe i falënderoj shumë që gjetën kohë të vinin. Tani, unë mendoj se të gjithë filmat që ishin në program janë mbresëlënës, sepse edhe nuk mund të them ndryshe, pasi që unë i kam përzgjedhur. Por besoj që edhe publiku do të jetë kënaqur më atë çfarë ne i kemi ofruar, pasi që ka pasur larmishmëri zhanresh e stileve dhe besoj që secili do të ketë gjetur diçka që do t’ia ketë kënaqur shijen estetike.
Albinfo.ch: Si ka ndikuar festivali në industrinë e filmit në Kosovë dhe në rajon? A mendoni se po u ofron platforma të reja kineastëve të rinj dhe artistëve të rajonit për t’u bërë botërisht të njohur?
B. Apolloni: Ende është herët për të vërejtur ndikimin në industrinë e filmit tonë, por ky është qëllimi: që të ndikojë të zhvillohet filmi ynë. Po besoj që shpejt do të vërehet ndikimi, nëse përkrahja do të vazhdojë duke u rritur.
Albinfo.ch: Në aspektin personal dhe profesional, çfarë keni mësuar ju si regjisor nga pjesëmarrja juaj në “TriNet Film Festival” këtë vit?
B. Apolloni: Unë mësoj çdo ditë, kudo dhe kurdo e natyrisht se edhe nga “TriNet Film Fest” kam mësuar. Kam mësuar nga filmat e kolegëve të mi, filma që i kam shikuar disa herë dhe i kam analizuar me kujdes, e që besoj se kanë ndikuar në mua si regjisor dhe producent. Besoj se kam mësuar goxha shumë prej tyre.
Albinfo.ch: Cilat janë planet për të ardhmen e “TriNet Film Festival”? Çfarë dëshironi të ndryshoni ose të përmirësoni në edicionet e ardhshme?
B. Apolloni: Planet janë që pas tre edicioneve me karakter prezantues, nga viti i ardhshëm do të ketë edhe çmime në “TriNet Film Fest” dhe do të ketë më shumë filma, më shumë pjesëmarrës, më shumë programe. Ne kemi filluar të punojmë për edicionin e katërt dhe ju premtoj se do të jetë një super edicion.
Në përfundim të kësaj interviste me regjisorin Ben Apolloni, bëhet e qartë se “TriNet Film Festival” ka një ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e kinematografisë shqiptare dhe rajonale. Me angazhimin e tij të palodhur dhe vizionin për të promovuar filmat shqiptarë në arenën ndërkombëtare, Apolloni ka kontribuar në krijimin e një platforme ku kineastët kanë mundësinë të shprehin dhe zhvillojnë talentin e tyre. Përmes pasionit dhe përkushtimit, festivali dhe puna e regjisorëve si Apolloni po ndihmojnë që filmi shqiptar të bëhet më i pranishëm dhe i njohur në botë. E ardhmja e “TriNet Film Festival” duket premtuese dhe, me më shumë mbështetje dhe mundësi, kjo ngjarje do të vazhdojë të jetë një katalizator për promovimin dhe zhvillimin e industrisë së filmit shqiptar në rajon e më gjerë.
E-Diaspora
-
“Tri Net Film Fest”, në kërkim të historisë përmes filmit shqiptar Të shtunën që shkoi përfundoi në Spreitenbach (AG) festivali i filmit "TriNetFilmFest", i cili këtë vit...
-
13 vjet burgim për shqiptarin që hyri për të vjedhur një shtëpi në Londër
-
Leutrim Aliji, pianisti virtuoz që bashkoi muzikën klasike me shpirtin shqiptar
-
Art Julius Aurel kandidon për parlamentin e Steiermark-ut
-
Rihapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës
Jeta në Zvicër
-
“Falë Granit Xhakës, unë jam dikushi”, thotë i riu i hendikepuar, Musa Musiqi 21-vjeçari nga Zvicra Lindore vuan nga paraliza cerebrale për shkak të një hemorragjie të trurit në...
-
Një në nëntë zviceranë investojnë në kriptovaluta
-
A janë të hapura vendet e punës në administratën publike në Zvicër për të huajt?
-
Një tren i ri nëpër hekurudhat e Zvicrës
-
Identifikohet rritje mallrash të paligjshme dhe potencialisht të rrezikshme