Futboll
Selektori Yakin insiston se vetëm fitorja sot është rezultat i pranueshëm për Zvicrën
Ndeshja Zvicër–Serbi luhet të premten, nga ora 20:45, në Letzigrund të Cyrihut
Në një deklaratë për media, selektori i Zvicrës në futboll, Murat Yakin, nuk “shpëton” thuajse asnjëherë pa u pyetur për Granit Xhakën. U pyet edhe të enjten në konferencën për medie para ndeshjes vendimtare kundër Serbisë, ku vetëm një fitore me të paktën dy gola diferencë mund të parandalojë rënien e “helvetikëve” në Ligën B.
Ndeshja Zvicër–Serbi luhet të premten, nga ora 20:45, në Letzigrund të Cyrihut.
“Kundër Serbisë kanë munguar emocionet, a do të jetë nesër ndryshe?”, u pyet Yakini gjatë konferencës të mbajtur të enjten, duke iu referuar paraqitjes së Xhakës kundër Serbisë në Leskoc muajin e kaluar. Serbia e pati fituar ndeshjen 2:0.
Xhaka kishte ndeshje stabile.
Ka pasur fishkëllima të shumta të huliganëve serbë ndaj Xhakës. Ato nisën pa filluar ndeshja. Por me kalimin e kohës, ishin gjithnjë e më të vogla. Xhaka nuk u provokua nga lojtarët në fushë.
“Ai do të udhëheqë me shembull dhe do t’i tërheqë lojtarët e tjerë pas vetes. Roli i tij është jashtëzakonisht i rëndësishëm”, ka thënë Yakini në konferencë për medie.
Zvicra është e fundit me një pikë në Grupin 4 të Ligës A. Serbia është e treta me katër pikë. Spanja i prin tabelës me 10 pikë, derisa Danimarka ka shtatë.
“Duhet të luajmë në mënyrë agresive që nga sekonda e parë. Kundër serbëve duhen emocionet e të gjithëve, jo vetëm nga Granit Xhaka”, është shprehur Yakini.
Xhaka ishte prej lojtarëve vendimtarë të Zvicrës ndaj Serbisë në kampionatet botërore, Rusi dhe Katar. Në Rusi shënoi gol dhe më pas festoi me shqiponjë me Xherdan Shaqirin. Në Katar luajti ndeshje të mirë në mesfushë dhe kishte duele të zjarrta me lojtarët serbë. Shaqiri është pensionuar nga Zvicra, ndërsa krahas Xhakës për ndeshjen ndaj Serbisë dhe Spanjës, janë përfshirë në ekip edhe Andi Zeqiri, Albian Hajdari dhe Ardon Jashari.
Selektori Yakin insiston se vetëm fitorja është rezultat i pranueshëm për Zvicrën. “Gjithçka përveç fitores nuk na bën dobi”.
Përveç tifozëve të shumtë në përkrahje të Zvicrës, në Letzigrund pritet të ketë shumë serbë. Yakin nuk shqetësohet se lojtarit e tij do të preken nga thirrjet apo vërshëllimat e tifozëve kundërshtarë. Por ai ka kërkuar të respektohet himni i Zvicrës.
“Dua respektin e tifozëve serbë. Shpresoj të mos ngacmohemi gjatë himnit kombëtar, siç ishte rasti në Serbi”, ka thënë Yakini.
Angazhim premton edhe Fabian Rieder.
“Duhet të jemi gati që nga sekonda e parë. Do të shihni një ekip agresiv të Zvicrës që është gati për t’i fituar këto pikë”, ka thënë Riederi.
Mediet në Zvicër dhe në Serbi nuk janë marrë me të kaluarën. Edhe te Serbia nuk kanë folur për të kaluarën.
Selektori i Serbisë, Dragan Stojkoviq, thotë se në Cyrih kanë udhëtuar për fitore.
“Kanë mbetur gjashtë pikë në tavolinë. Ne duam të gjashtë pikët. A mund t’i marrim ato? Unë mendoj se mundemi. Nuk kemi ardhur për një vizitë në Cyrih, kemi ardhur për të bërë diçka të rëndësishme për futbollin serb. Kemi ambiciet tona”, ka thënë Stojkoviqi.
Kapiteni Aleksandar Mitroviq thotë se Zvicra do të paraqitet nga minuta e parë me agresivitet të madh.
“Pres një Zvicër më sulmuese dhe më të gjatë. Ata luajnë para tifozëve të vet. Edhe ne jemi gati”, ka thënë Mitroviqi.
Zvicra ndeshjen e fundit e luan më 18 nëntor ndaj Spanjës në Tenerife. Por vendimtare për zviceranët vlerësohet përballja ndaj serbëve.
E-Diaspora
-
“Tri Net Film Fest”, në kërkim të historisë përmes filmit shqiptar Të shtunën që shkoi përfundoi në Spreitenbach (AG) festivali i filmit "TriNetFilmFest", i cili këtë vit...
-
13 vjet burgim për shqiptarin që hyri për të vjedhur një shtëpi në Londër
-
Leutrim Aliji, pianisti virtuoz që bashkoi muzikën klasike me shpirtin shqiptar
-
Art Julius Aurel kandidon për parlamentin e Steiermark-ut
-
Rihapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës
Jeta në Zvicër
-
Një tren i ri nëpër hekurudhat e Zvicrës Kompania kombëtare hekurudhore SBB, së bashku me linjat lokale Thurbo dhe RegionAlps, zbuluan tre modelet e...
-
Identifikohet rritje mallrash të paligjshme dhe potencialisht të rrezikshme
-
Zvicra, e fokusuar më shumë në prodhimin e ushqimeve me bazë bimore sesa shtazore
-
Punëdhënësit publikë nuk mund të favorizojnë kandidatët zviceranë në raport me të huajt
-
Zvicër: Tri modele të reja të trenave do të fillojnë të qarkullojnë nga viti 2026