Lajme

Promovohet në Cyrih libri i Shkëlzen Gashit “Masakrat në Kosovë 1998 -1999”

Mjetet nga shitja e librit do të përdoren për krijimin e një faqeje interneti në të cilën do të përfshihen masakrat në Kosovë që janë kryer në vitet 1998-1999

Të dielën që vjen, më 17 nëntor promovohet në Cyrih libri “Masakrat në Kosovë 1998-1999” me autor, Shkëlzen Gashin.

Në fillim të shtatorit 2024, publicisti Shkëlzen Gashi ka botuar librin “Masakrat në Kosovë 1998-1999”.  Në libër janë përfshirë 83 masakra, që janë kryer nga forcat serbe kundër civilëve, kryesisht shqiptarë, nga data 28 shkurt 1998 e deri më 23 korrik 1999.

Libri është i ilustruar edhe me fotografi nga vendet ku janë kryer masakrat. Mjetet nga shitja e librit do të përdoren për krijimin e një faqeje interneti (website), në të cilën do të përfshihen masakrat në Kosovë që janë kryer në vitet 1998-1999.

“Shkëlzen Gashi vjen në Zürich me librin e tij “Masakrat në Kosovë 1998-1999”. Kam kënaqësinë e jashtëzakonshme t’ju njoftoj se më datën 17 nëntor (e diel) do ta promovojmë në Zürich librin e Shkëlzen Gashit “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, shkruan Enver Robelli në njoftimin mbi promovimin e këtij libri, në emrin e shtëpisë botuese zvicerano-shqiptare “Dora D`Istria” .

Promovimi do të moderohet nga Arbela Statovci dhe mbahet në këtë adresë:
SOHO, Events Location, Hardstrasse 260, në Zürich, nga ora 13:00.
Të gjitha hollësitë e tjera, përfshirë listën e folësve, i gjeni në afishin e mëposhtëm.