Shqipëri

Prestigjozja britanike: Medalje të argjendtë për Shqipërinë si vendi më i dëshirueshëm për t’u vizituar

Shqipëria është nderuar me medaljen e argjendtë si vendi më i dëshirueshëm për t’u vizituar nga turistët gjatë edicionit të 23-të të çmimeve të revistës prestigjoze britanike “Wanderlust”.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.

Kumbaro tha se në konkursin “Wander Reader Travel Awards” përmes një votimi publik, vendi ynë u vlerësua si një destinacion që po fiton shpejt famë botërore, ku ndërthuren bukuritë natyrore me trashëgiminë e pasur kulturore.

Bukuritë e Shqipërisë, që nga majat e Alpeve të thepisura, brigjet magjepsëse të rivierës shqiptare dhe të Adriatikut, sitet e trashëgimisë UNESCO, monumentet e trashëgimisë kulturore dhe ata natyrorë, parqet kombëtare, fshatrat e bukur turistikë nga veriu në jug, kulinaria dhe prodhimet tradicionale tërhoqën 9.7 milionë të huaj gjatë 9 muajve të këtij viti.