Lajme

Detaje të reja rreth vetëvrasjes së 33-vjeçarit në Hamburg

25 mijë euro pritet të mblidhen për kthimin e trupit të tij në vendlindje

Mediat gjermane i kanë kushtuar vëmendje rastit tragjik në Hamburg, ku 33-vjeçari me inicialet D.L. bëri vetëvrasje në banesën e tij pak ditë më parë, përcjell albinfo.ch.

Babai i 33-vjeçarit ka zbuluar arsyen e vetëvrasjes së djalit të tij.

Pagesa e gabuar nga pronari ka qenë arsyeja që 33-vjeçari D.L. nga Frakulla e Vogël i Fierit i ka dhënë fund jetës.  

Ai ishte fëmijë i vetëm, ndërsa nëna e tij kishte ndërruar jetë më parë, ndërsa babai jeton në një gjendje të mjerueshme në fshatin Frakullë.

I tronditur nga humbja e djalit të vetëm, i moshuari tregon mes lotësh se telefonata e fundit me të birin ishte tre ditë më parë.

Ai thotë se djali i tij ka tentuar të vetëvritet pak ditë më parë, por më pas i ka premtuar se nuk do ta dëmtojë veten. Pas këtij premtimi ai u qetësua, por fatkeqësisht gjërat nuk shkuan ashtu siç priste.

Mes sëmundjes dhe varfërisë së skajshme, babai i 33-vjeçarit bën apel për ndihmë për të kthyer trupin e të birit.

Ndërkohë, i afërmi Mezin Kaçaku pohon se për kthimin e trupit duhen 25 mijë euro, shumë për të cilën shqiptarët në Hamburg kanë rënë dakord ta mbledhin shpejt, ndërsa thekson se do të mundohen të solidarizohen edhe banorët e zonës.