Lajme

Francë: Pesë të plagosur rëndë në një shkëmbim zjarri, shkak – trafiku i substancave narkotike

Në një shkëmbim zjarri në Francën perëndimore, pesë persona, përfshirë tre adoleshentë, janë plagosur rëndë. Shkaku i fillimit të përleshjes ka qenë trafikimi me substance narkotike.

Ministri i Brendshëm i Francës, Bruno Retailleau ka njoftuar se dhuna shpërtheu para një restoranti në qytetin perëndimor të Poitiers dhe u shndërrua në një përleshje ku përfshiheshin deri në 600 persona.

“Filloi me një shkëmbim zjarri në një restorant dhe përfundoi me një përleshje mes bandave rivale që përfshinin disa qindra njerëz. Një djalë 15-vjeçar i plagosur është në gjendje kritike”, tha Retailleau, transmeton albinfo.ch.

Sipas njoftimit nga policia, djali ishte qëlluar në kokë dhe se dy adoleshentë të tjerë, të dy të moshës 16 vjeç janë në mesin e të plagosurve, shkruan euronews.

Tutje, Reailleau ka deklaruar se Franca ishte në një “pikë kthese” kur bëhej fjalë për dhunën e lidhur me drogën.

Ndryshe, dhuna në Poitiers ndodhi në Place Coimbra, një zonë e njohur e trafikut të drogës. Bëhet e ditur se dhuna nisi pas të shtënave nga disa persona në një veturë, të cilët më pas u larguan nga vendi i ngjarjes.