Zhvillim

Investimi më i mirë në partneritet me kompanitë zvicerane

Ministrja kosovare e Tregtisë dhe Indsutrisë, Hykmete Bajrami, flet për albinfo.ch

Pse duhet të investojnë ndërmarrësit e diasporës në Kosovë? Cilat janë sfidat me të cilat do të ballafaqohen në ngritjen e biznesit të tyre atje? Cilat janë përparësitë krahasuese dhe cilat janë resurset, të cilat ata mund t’i shfrytëzojnë me lehtësi për investime. Pse duhet të shfryzojnë vetëm rrugët institucionale për të bërë biznes? A ka korrupsion në Kosovë? Ministrja kosovare e Tregtisë dhe Indsutrisë, Hykmete Bajrami, flet për albinfo.ch pas konferencës në Winterthur: “Mbështetja institucionale për ndërmarrësit e diasporës”.

Albinfo.ch: Për të inkurajuar investitorë të vijnë të bëjnë biznes në Kosovë keni pasur takime të shumta në shtete të ndryshme, si në Austri e Zvicër. Cila është oferta juaj konkrete për t’i bindur investitorët në diasporë dhe cila ka qenë kërkesa e tyre?

H.Bajrami: Është tepër evidente se Kosova ka nevojë për investime të huaja. Ne kemi nevojë për kapacitete prodhuese dhe krijimin e vendeve të reja të punës dhe kemi një plan qeverisës, plan katërvjeçar për zhvillim ekonomik 2015-2018, ku po punojmë në hartimin e një strategjie për zhvillimin ekonomik. Agjenda jonë është kryesisht ekonomike dhe kemi dalë t’u tregojmë investitorëve se do ta kenë mbështjen e plotë të institucioneve. Po iu tregojmë se cilat janë përparësitë krahasuese dhe cilat janë resurset, të cilat ata mund t’i shfrytëzojnë me lehtësi, cilat janë përparësitë dhe ofertat sa i përket pakos fiskale, që besoj se kemi një nga pakot fiskale më të favorshme në rajon. Po ashtu po iu tregojmë investitorëve se do ta kenë mbështetjen edhe të Qeverisë së Kosovës, për shkak të disa rasteve dhe disa incidenteve të cilat kanë ndodhur në të kaluarën, ku investitorët nuk janë ndier të  mbrojtur. Ne po kërkojmë nga investitorët që të zgjedhin rrugën institucionale kur të vijnë të investojnë në Kosovë, që të shohin kostot dhe benefitet e tyre dhe ne si Qeveri e Kosovës do të jemi gjithmonë në shërbimin e tyre. Ka raste kur investitorët kërkojnë ide konkrete, atë nuk mund ta ofrojmë ne në Kosovë. Në fakt, ne ofrojmë infrastrukturën ligjore dhe fizike, ofrojmë mbrojtjen institucionale, mirëpo idetë duhet të vijnë nga vetë bizneset. Përparësi e Kosovës është që jemi një treg i integruar, nuk duhet të shihemi si një treg i vogël prej 2 milionë banorësh. Ne jemi anëtar i CEFTA-s, shumë shpej do të nënshkruhet marrëveshja e Stabilizim Asocimit dhe mallrat nga Kosova shumë lehtë mund të eksportohen në vendet e ndryshme.

Albinfo.ch: A është lehtë të binden investitorët kur shumë shpesh flitet për raste të mos funksionimit të gjyqsorit në Kosovë?

H.Bajrami: Në Kosovë po punohet shumë edhe në reformat në drejtësi. Ne sigruisht po shpalosim ofertat tona dhe nuk po mundohemi që me çdo kusht t’ua mbushim mendjen investitorëve, ngase ata shkojnë atje ku e shohin profitin e tyre dhe ku ndihen të sigurt. Ne mendojmë se Kosova nuk është vend i rrezikshëm. Ne po punojmë në ngritjen e kapaciteteve të një gjykate të veçantë që do të merret me kontestet e bizneseve dhe po merremi me zgjidhjen e probleme edhe ne individualisht si ministra. Duke punuar në grupe po bëjmë përpjekje për t’i zgjidhur këto probleme që padrejtësisht i kanë sot bizneset dhe mendojmë se këto tregimet e mira të biznesit do ta promovojnë Kosovën shumë mirë dhe këta biznesmenë që ta kenë mbështetjen tonë institucionale do t’u tregojnë të tjerëve se ia vlen të investohet në Kosovë.

Albinfo.ch: CIli është disponimit i tyre, Zvicra është vendi i dytë pas Austrisë, ku po i ftoni ndërmarrësit e diasporës të investojnë në Kosovë dhe keni zhvilluar takime të drejtpërdrejta me disa prej tyre?

H.Bajrami: Jemi të befasuar nga pritja shumë e mirë nga numri i madh i ndërmarrësve për të marrë pjesë në këto konferenca. Por, nga ajo që ne më së shumti na ka inkurajuar vlen të përmendet fakti nga takimi në Vjenë që kemi realizuar kur kompani asutriake kanë shpalosur përvojat e tyre nga investimet që kanë bërë në Kosovë. Edhe në konferencën në Winterthur të Zvicrës ishte prezantimi i kompanisë “Baruti”, storie shumë e mirë e suksesit e të bërit biznes në Kosovë, e cila e promovon vendin tonë. Ne kemi probleme nganjëherë me njerëz që dëshirojnë të pasurohen brenda ditës dhe kjo ndoshta është për shkak të korrupsionit dhe ka raste kur investitorët e shohin Kosovën si një vend dhe mundësi për t’u pasuruar për një periudhë të shkurtër. Mirëpo, janë evidente sfidat si te kompania „Baruti” dhe kompani të tjera. Gjithmonë kur fillon një biznes dhe e nis nga zeroja duke investuar, atëherë duhet të keni edhe durim dhe duhet të punohet dhe të bëhet hulumtimi i tregut dhe të shihet se cilat janë ofetat dhe kërkesat, kostot dhe benefitet. Sigurisht një punë e palodhshme dhe motivimi për të punuar drejt, duke kontribuar edhe për vendin dhe për të investuar për të krijuar vende të reja pune. Dhe storja e suksesit është e pashmangshme.

Albinfo.ch: Keni premtuar asistencë dhe grante të ndryshme në formë konsulence dhe të tjera nëse bizneset investojnë në Kosovë. A do të përfshihen në këto projekte edhe bizneset nga diaspora?

H.Bajrami: Janë projekte që janë nën ombrellë të ministrive të ndryshme që nuk do të jetë asistencë buxhetore e drejtpërdrjetë nga buxheti i Kosovës. Fondi prej 15 milionë eurove është institucioni financiar që do të mbulojë hipotekën për secilën kredi që do të merret në bankat komerciale. Do të thotë, është fjala për secilën kredi që ka një plan të biznesit dhe e bind bankën që do të vitalizohet si një biznes profitabil. Të gjitha projektet, si grantet dhe shërbimet e konsulencës dhe participimi 75 për qind i kapitaleve për fermat e ndryshme në ndërtimin e kapaciteteve prodhuese. Diaspora definitivisht trajtohet komplet e barabartë me investitorët nga vendi.

Albinfo.ch: Por ka raste kur bizneset nga diaspora edhe janë kthyer të zhgënjyer prapa?

H.Bajrami: Ne jetojmë në Kosovë dhe lidhjet i kemi të drejtpërdrejta dhe gjithashtu kemi lidhje edhe me diasporën dhe nuk ka familje atje që nuk ka një të afërt në Zvicër a Gjermani. Ka rast kur janë zhgënjyer, por përdorni rrugët zyrtare e jo të shkurta. Tjetra është që mundohuni të sillni ekpertizën me vete që e keni fituar në vendin ku jetoni, e jo vetëm kapitalin. Nëse ju kërkoni që vetëm të vini në Kosovë dhe të investoni, atëherë shanset për të qenë profitabil janë shumë të vogla. Në fakt, ju duhet të vini me ide. Në Kosovë nuk na duhet vetëm kapitali dhe keshi, në rast se ju nuk e sillni edhe eskpertizën. Forma më e mirë do të ishte ardhja në partneritet me kompanitë zvicerane. Zvicra është e njohur me kualitet si të produkteve dhe shërbimeve. Ajo që po na mungon në Kosovë dhe që nuk po na lejon t’u bëjmë konkurrencë produkteve që po importohen është pikërisht mungesa e  kualitetit, mungesa e kulturës për të punuar me konsumatorë, mungesa për të bërë kërkime të tregut. Shumë bashkatdhetarë pyesin se cili është projekti ku mund ta investojë kapitalin e fituar në diasporë. Shpesh ata u dërgojnë familjarëve të tyre dhe i investojnë në sketorë që nuk janë prfitabil dhe nganjëherë në mungesë të resurseve njerëzore, ngase për çdo biznes resurset humane janë shumë të rëndësishme. Nëse e ke kapitalin, por nuk i ke njerëzit që dinë të bëjnë biznes, atëherë suksesi do të jetë i munguar.

Ka raste dhe incidente që janë shkaktuar jo vetëm me fajin e institucioneve, po për shkak të rrugëve të shkurta që disa prej afaristëve dëshirojnë të pasurohen brenda ditës. Për shembull, ka biznese që nuk dëshirojnë të presin një licencë  3-4 muaj nga Ministria e Mjedisit për të zhvilluar një projekt që ka ndikim të madh në ambient, mirëpo gjen një rrugë shumë të shkurtër për të ardhur deri te licenca. Në kohën kur ndërrohen institucionet, vjen dikush aty që do ta zbatojë ligjin dhe ia vë pikëpyetje licencën që e ka marrë. Këto janë raste me të cilat po përballemi dhe, them të drejtën, raste të tilla edhe nuk mund t’i zgjidhim. Ne po punojmë që për secilin vendim të medojmë edhe konsekuencat e atij veprimi. Unë doja të tregoja se nëse keni raste evidente të korrupsionit, ejani dhe raportoni, nëse ne nuk veprojmë, atëherë publikoni në media. Atëherë nëse ne nuk marrim masa, po i bie që  po bashkëpunojmë me krimin dhe besoj se nuk do të vijmë asnjëherë te ajo pike, ngase ne do t’i marrim masat paraprake dhe kështu luftohet korrupsioni, duke bashkëpunuar qytetarët dhe institucionet. Dhe, në këtë mënyrë do t’i dekurajojmë komplet të gjithë ata që dëshirojnë të pasurohen brenda natës me taksat dhe kapitalin e dikujt tjetër.