Lajme

Papa Françesku thotë se shtetet kanë nevojë për emigrantë

Papa Françesku theksoi sot vlerën e emigrantëve mes një debati për kufizimin e imigracionit në shumë vende.

“Shumë vende kanë nevojë për emigrantë”, tha kreu i Kishës Katolike, duke vënë në dukje rënien e numrit të lindjeve dhe plakjen e popullsisë.

“Të mos harrojmë se emigrantët duhet të mirëpriten, të shoqërohen, të promovohen dhe të integrohen”, tha ai në Vatikan.

Ai vuri në dukje se Italia, nga ku prindërit e tij kishin emigruar në Argjentinë, nuk kishte fëmijë të mjaftueshëm dhe se mosha mesatare tani ishte 46.

“Italia ka nevojë për emigrantë”, tha papa Françesku.

Papa Françesku ka folur shpesh në favor të emigrantëve.

Udhëtimi i tij i parë zyrtar në 2013 e çoi atë në ishullin italian të Lampedusas, ku shumë emigrantë mbërritën me varka – pasi bënë kalimin e rrezikshëm nga bregu i Afrikës së Veriut.