Kosova

“Siparantum” valëvit flamurin e Kosovës në Spanjë, krahas 32 shteteve

Tashmë dihet se Spanja është i 16-i stacion botëror i korit “Siparantum” dhe aty ka aterruar për garën botërore “Sing for Gold”, përcjell albinfo.ch.

Por, para saj janë edhe disa momente që shpërfaqin fuqinë e artit në shpalosje të identitetit të Kosovës. Parakalimi në Calella, nja 50 kilometra prej Barcelonës, merr me vete edhe rrëfime të tjera. Ai për flamurin, që valëvit në mesin e atyre 32 shteteve, është njëri prej tyre.

Një rrëfim tjetër është edhe takimi me çiftin katalonjas, që Kosovën e njeh nga lufta e tash edhe ndryshe. “E tash një kor nga atje të interpretojë në Barcelonë, nuk është gjë e vogël”, thotë mësimdhënësja e pensionuar.

Janë qindra flamuj të vegjël që valëvitin rrugëve të qytetit katalonjas pasditen e së enjtes. Secili që mbahet prej tyre është në dorën e një koristi. Nga dritaret e ndërtesave a prej rrugëve, qytetarëve u zgjohet kureshtja për të parë se çfarë po ngjan. Shumë prej tyre edhe e përjetësojnë ndonjë moment duke shkrepur fotografi. 

Formacionet korale prej 32 shteteve të botës ua kanë shtuar ngjyrat dy qyteteve bregdetare, Calellas dhe Barcelonës, që i ndan rruga prej 53 kilometrash.