Kosova

Komandanti i KFOR-it i lë porosi Kurtit: Dialogu, e vetmja rrugë për çështjet e pazgjidhura

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani, të enjten është takuar me kryeministrin Albin Kurti, nga ku ka porositur shefin e Qeverisë se dialogu është e vetmja rrugë për çështjet e pazgjidhura me Serbinë dhe për komunitetin serb në Kosovë, përcjell albinfo.ch.

Ishte takimi i parë i Barduanit me Kurtin prej kur mori detyrën si komandant i KFOR-it më 11 tetor.

Komandanti i KFOR-it, sipas njoftimit, ka thënë se do të vazhdojnë të kontribuojnë për mjedis të sigurt dhe të qetë, për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, “në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999”.

“Unë kam përsëritur mbështetjen e plotë të KFOR-it për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si platforma e vetme për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura dhe arritjen e zgjidhjeve që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve. Kjo është kyçe për sigurinë e qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe për stabilitetin rajonal”, ka thënë Barduani, sipas njoftimit të KFOR-it.

Gjeneralmajor Barduani vuri në dukje gjithashtu angazhimin që të sigurohet koordinimi dhe të zvogëlohet mundësia për veprime që mund të çojnë në tensione.

“Kjo do të jetë pjesë e përpjekjeve të mia dhe të gjitha aktiviteteve të përditshme të KFOR-it”, ka shtuar tutje ai.

Barduani, gjeneral italian, zëvendësoi në pozitën e komandantit të KFOR-it, Ozkan Ulutashin.