Opinione

Votimi për qiratë në Zvicër, për çfarë është fjala konkretisht

Iniciativa e parë propozon që të ashpërsohen rregullat në fushën e nënqirasë; ajo i prek të drejtat që lejohen në raste të nënqirasë

Më 24 nëntor 2024, populli zviceran duhet të shprehet lidhur me dy projekte ligjore të fushës së qirasë.

Njëra nga këto projekte ka të bëjë me rregullat mbi nënqiranë, kurse tjetra me mundësitë e shkëputjes së një kontrate të qirasë për arsye të nevojave personale të qiradhënësit.

Rikujtojmë se është Parlamenti zviceran ai i cili vendosi para do kohësh që t’i ndryshojë disa rregulla në këtë drejtim.

Nuk u vonuan pastaj iniciativat për referendum, nga qarqet që ishin kundër këtyre ndryshimeve, dhe të cilat ia arritën t’i mbledhin nënshkrimet e mjaftueshme për të çuar deri te votimet e 24 nëntorit 2024.

Iniciativa e parë propozon që të ashpërsohen rregullat në fushën e nënqirasë; ajo i prek të drejtat që lejohen në raste të nënqirasë. Kurse e dyta lidhet me të drejtën e pronarit apo të qiradhënësit që ta ndërpresë kontratën e qirasë në qoftë se banesa, për shembull, i nevojitet atij për nevoja personale (për t’u vendosur ai vetë ose një anëtar i afërt i familjes).

Lidhur me projektin e parë, qiramarrësit kanë sot mundësinë të japin me nënqira banesën e tyre, lokalet e tyre afariste, pa ndonjë kufizim të ashpër ligjor. Sipas rregullave që aplikohen aktualisht, një qiramarrës nuk e ka aspak vështirë që banesën e tij t’ia japë me “nënqira” dikujt tjetër, duke mos iu nënshtruar ndonjë rregulle të ashpër.

Situata e tensionuar në tregun e qirave duket se inkurajojnë keqpërdorimet në fushën e nënqirave. Kjo shpaloset pra si një ndër arsyet për kërkimin e definimit të rregullave më të përpikta për këtë çështje.

E gjithë kjo shkakton pakënaqësi të shumta në fushën e qirasë pasi që ndodhë shpesh që praktikat e tilla çojnë ndonjëherë deri në “biznese të çuditshme”. Këtu e hasim pikërisht revoltën dhe pakënaqësinë tek mjediset e qiradhënësve ndaj situatës aktuale të konsideruar si tejet laksiste.

Sipas rregullave të reja do të kërkohet nga qiramarrësit që të kërkojnë paraprakisht dhe sistematikisht autorizimin përkatës me shkrim nga qiradhënësi, në raste të nën-qirasë. Kështu qiradhënësi mund të refuzojë një nën-qira, në qoftë se ajo zgjat më tepër se dy vite dhe çdo ndryshim eventual duhet t’i komunikohet qiradhënësit.

Një qëllim pra i transparencës totale në mes të palëve kontraktuese. Mbi të gjithat, qëllim kryesor është edhe ajo që të shmangen keqpërdorimet. Kurse projekti tjetër që do të jetë objekt votimi i takon një fushe sadopak komplekse të qirasë së banimit.

Ta ilustrojmë ketë përmes një shembulli: pas fitimit të pronësisë nga një pronar, ky i fundit e ka shumë vështirë që të largojë nga banesa e blerë një individ që është banues aty. Ligji aktual parashikon rregulla që nuk i lejojnë aq lehtë pronarit të tillë që të kërkojë largimin e qiramarrësit nga banesa, bile dhe në rastet kur pronari, ai vetë ka vërtet nevojë për atë banesë.

Ndryshimi i propozuar ligjor synon që t’i mundësoi pronarit të përdorë pronën e tij më lehtë dhe më lirshëm.

Sipas rregullës aktuale, një pronar i një banese mundet, për shembull, ta largojë nga banesa (nga pronësia e tij) një qiramarrës vetëm atëherë nëse dëshmon një nevojë specifike apo një “urgjencë”.

Propozimi për ndryshim fokusohet në nocionin “një interes i rëndësishëm dhe aktual”, për t’ i mundësuar qiradhënësit që me lehtë të largojë nga banesa një qiramarrës, për shembull, në raste të nevojave personale për atë banesë.

Nocionet e përdorura juridike “një interes i rëndësishëm dhe aktual”, do të akordonin lehtësi të mëdha për qiradhënësin.