Kosova

Kurti: Për paqe e siguri, Serbisë i nevojitet dorëzimi i kryeterroristit Milan Radoiçiq

Kryeministri Albin Kurti priti sot në vizitën e tij të parë në Kosovë në pozitën e Ndihmës Sekretarit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit amerikan, James C. O’Brien.

Zyra e Kryeministrit njofton se përgjatë bashkëbisedimit u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe dhe fushat në të cilat mund të thellohen edhe më tej raportet e ngushta ndërmjet dy vendeve tona.

“Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij dhe të Qeverisë për rolin historik dhe mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Republikës së Kosovës dhe popullit të saj dhe për bashkëpunimin e afërt në fushën e energjisë, ekonomisë, financave dhe sigurisë e mbrojtjes”, thuhet në njoftim.

Në këtë takim u diskutua edhe rreth raporteve me Serbinë, procesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj.

“Nënshkrimi i Marrëveshjes Bazike është dëshmia e nevojshme e vullnetit të mirë dhe mirëbesimit nga ana e Serbisë për përmbushjen e shpejtë dhe respektimin e plotë të saj e të Aneksit të zbatimit. Po ashtu, për ligjshmëri e drejtësi, paqe e siguri, nevojitet dorëzimi i kryeterroristit Milan Radoiçiq dhe grupit të tij paramilitar”, njofton Qeveria.