Kosova

“CorrWatch” thotë se Ministria e Mbrojtjes ka bërë disa shkelje

Furnizimi i FSK-së me ushqim

Iniciativa CorrWatch ka shprehur shqetësim për krijimin e gjendjes emergjente dhe shpalljen fitues të operatorëve ekonomikë, sipas tyre, në mënyrë të kundërligjshme për Aktivitetin e Prokurimit “Furnizim me Ushqim për Nevojat e FSK-së”.

Sipas CorrWatch, në planin e prokurimit të Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2024 ka qenë i parashikimi aktiviteti i prokurimit “Shërbimet e Ushqimit”, që ishte planifikuar të niste më 23 shkurt 2024 me vlerë prej 13 milionë e 480 mijë euro.

“Që nga shkurti i vitit 2024, kur për herën e dytë është anuluar AP “Shërbimet me ushqim.. për nevoja të FSK-së”, MM nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të iniciuar procedurë të hapur. Pas kësaj, më 03 prill 2024, MM ka lidhur kontratë të negociuar e cila ka skaduar më 30 shtator 2024. MM, më 19 shtator 2024, ka publikuar njoftimin për dhënie të kontratës së re në procedurë të negociuar, duke u thirrur në emergjenca ekstreme, me vlerën e kontraktuar 2,149,000.00 euro”.

“Thënë këto, MM ka mundur të përdorë procedurat e negociuara vetëm në pajtim me nenin 35 të Ligji për Prokurimin Publik (LPP). Paragrafi 2 i nenit 35 parasheh që ‘Autoriteti kontraktues mund të përdor procedura të negociuara.. për arsye të emergjencave ekstreme që janë shkaktuar nga ngjarje objektivisht të verifikueshme të cilat nuk kanë pasur mundësi të parashikohen me arsye nga autoriteti përkatës kontraktues.. Kjo dispozitë sipas ligjit nuk mund të zbatohet:.” nëse rrethanat që e kanë krijuar situatën emergjente ekstreme mund t’u atribuohen veprimeve neglizhente ose të qëllimta ose lëshimeve të autoritetit kontraktues’”, thuhet në reagim, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, CorrWatch tha se emergjenca e shkaktuar i atribuohet mosveprimeve dhe neglizhencës së Ministrisë së Mbrojtjes.

“Nisur nga kjo konsiderojmë që MM duke zhvilluar procedurë të negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë, duke u thirrur në emergjenca ekstreme, ka bërë shkelje të nenit 35 të LPP-së”.

“Përpos kësaj, CorrWatch, ka gjetur se MM gjatë negocimit të aktivitetit të fundit ka bërë edhe një varg shkeljesh të tjera. MM ka ftuar në negocim vetëm tre OE kështu duke bërë shkelje të nenit 7.1i cili parasheh se ‘AK nuk do të ekzekutojë asnjë aspekt të aktivitetit të prokurimit në një mënyrë që redukton apo eliminon konkurrencën në mes të operatorëve ekonomik ose që diskriminon në dëm ose në të mirë te një ose më shume operatoreve ekonomik’. E dyta, me kontratë janë shpërblyer OE-të që nuk i kanë plotësuar kërkesat në dosjen e tenderit”.

“Me 15 tetor, MM ka njoftuar se është anuluar ky aktivitet i prokurimit. Megjithatë, në bazë të të gjitha fakteve të shtjelluara më lartë shihet që MM ka dështuar në përmbushjen e obligimeve ligjore. Përmes këtij reagimi, CorrWatch, i bënë thirrje institucionit në fjalë dhe të gjitha hallkave përgjegjëse që të reflektojnë mbi këto procedura të kundërligjshme”, thuhet në reagim.