Futboll

Mathieu Aeschmann: Shaqiri, lojtar i klasit botëror në Nati

"Falë Xherdan Shaqirit, popullsia zvicerane më duket se e ka kuptuar më mirë se është e mundur të ndihesh thellësisht i lidhur me dy kultura, dy flamuj"

“Suksesi i “XS” dhe i këtij brezi të artë pati një efekt të dytë në imazhin e komunitetit shqiptar në Zvicër që më duket më i thellë: shpjegoi dhe vuri në dukje rrugëtimet dhe ndjenjat e qytetarëve me dy shtetësi”.

Profili njerëzor dhe sportiv i Shaqirit

Fjalët që i lidhi instinktivisht me Xherdan Shaqirin janë kënaqësia dhe ndarja. Mendoj se ato i përshtaten njeriut dhe lojtarit. Edhe pse nuk është hapur shumë ndaj shtypit në nivelin personal, kam kujtime të shumta të bashkëveprimeve të gëzueshme me publikun dhe shokët e tij të ekipit, apo edhe shkëmbimeve joformale shumë të relaksuara me gazetarët. Një portret që korrespondon me shijen e tij për futbollin krijues. Pasime të pamundura, devijime delikate, “prekja Shaqiri” ishte, më duket, një kënaqësi e gjestit të saktë dhe të rrallë, pavarësisht nivelit të kundërshtarit.

Kontributi i tij në ekipin kombëtar të futbollit të Zvicrës

Është i pamasë, natyrisht. Kur shoqëron, si lider teknik, një ekip kombëtar gjatë pesëmbëdhjetë vjetëve të progresit të vazhdueshëm, kur thyen rekorde, shënon gola të paharrueshëm, pretendon për titullin “lojtari më i madh në historinë e ekipit kombëtar”. Dhe, për të përjetuar nga brenda tripletën e tij, në Manaus, gjatë ndeshjes vendimtare kundër Hondurasit, isha i impresionuar nga mënyra se si gazetarët e huaj e shihnin Xherdan Shaqirin. Në Brazil, si shpesh pas atij Kampionati Botëror, ai ishte “fuoriclasse” zviceran, lojtari i klasit botëror në ekipin tonë kombëtar, ai që ishte i aftë të përmbyste çdo ndeshje me talentin e tij, si më të mëdhenjtë.

A e ka përmirësuar ai imazhin e komunitetit shqiptar në Zvicër?

Jam i bindur për këtë, ashtu si Granit Xhaka, Valon Behrami, Admir Mehmedi dhe disa të tjerë. Së pari, në një mekanizëm dashurie krejtësisht klasik. Xherdan Shaqiri i bëri të ëndërrojnë njerëzit në Zvicër, kështu që identiteti i tij u vu mekanikisht në dukje. Por suksesi i “XS” dhe i këtij brezi të artë pati një efekt të dytë në imazhin e komunitetit shqiptar në Zvicër që më duket më i thellë: shpjegoi dhe vuri në dukje rrugëtimet dhe ndjenjat e qytetarëve me dy shtetësi. Falë Xherdan Shaqirit, popullsia zvicerane më duket se e ka kuptuar më mirë se është e mundur të ndihesh thellësisht i lidhur me dy kultura, dy flamuj. Në njëfarë mënyre, karriera e tij ka qenë një nxitje e jashtëzakonshme për pranimin e identiteteve të shumëfishta.

(Mathieu Aeschmann, ish-gazetar sportiv në Sport-Center të Tamedia (2011-2023), mësues i historisë)