Zhvillim

Jahjaga: Roli i diasporës, i pashmangshëm në zhvillimin e Kosovës

Me rastin e vizitës që presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga po i bën Zvicrës, ku është pritur nga presidentja e vendit, albinfo.ch ka bërë një intervistë me të. Presidenja flet për  agjendën e vizitës në Zvicër, për problemet aktuale në Kosovë, për pjesëmarrjen e diasporës në zhvillimet  në Kosovë, për të rejat lidhur me ndërprerjen e marrëveshjen e sigurimeve sociale Zvicër-Kosovë  etj.

Cila është, me pak fjalë, agjenda e vizitës që po e bëni në Zvicër?
– Dy janë aspektet kryesore të vizitës në Zvicër. E para, që të bashkëbisedoj me Presidenten Sommaruga për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona, në veçanti në fushën e ekonomisë dhe e dyta, që të shohim mundësitë me diasporën nga Kosova që ta orientojmë investimin drejt vendlindjes së tyre. Pra një emërues i përbashkët: investime dhe zhvillim ekonomik. Kjo e hap perspektivën e vendit, siguron vende të reja të punës, mundëson mbajtjen e rinisë sonë brenda Kosovës dhe ndryshon gjithë perceptimin ndaj shtetit të Kosovës. Kosova ka nevojë për më shumë investime, për më shumë zhvillim ekonomik dhe ne, pra institucionet e vendit, duhet të garantojmë sundimin e ligjit dhe të rendit dhe duhet të sigurojmë një klimë të mirë të biznesit.

Ju jeni pritur nga presidentja e Zvicrës, Sommaruga. Cilat temat u rrahën gjatë takimit me të?
– Kjo është vizita e parë zyrtare në Zvicër dhe pritja nga presidentja Sommaruga ishte e ngrohtë dhe shumë miqësore. Zvicra ka qenë përkrah Kosovës në periudhat më të vështira të historisë sonë, por gjithashtu edhe tani kur po e ndërtojmë shtetin tonë. Kemi ndërtuar një marrëdhënie të ngushtë ndërmjet nesh dhe Zvicra sot është investuesi i katërt më i madhi në Kosovë. Duhet ta ruajmë këtë trend dhe ta avancojmë më tutje, duke krijuar mundësi më të mira për investime në fushat e interesit të përbashkët. Mbi të gjitha orientimi i drejtë i remitencave dhe ndihma bashkatdhetarëve tanë për të bërë biznes në Kosovë, duke ua lehtësuar këtë, do ta ndihmojë ekonominë e vendit. Por me Presidenten Sommaruga biseduam për një numër çështjesh, përfshirë edhe ndihmën për kthimin e imigrantëve ilegalë, sado që Zvicra ka pasur më së paku njerëz tanë që kanë ardhur ilegalisht në këta tre muajt e fundit.

A ishte edhe diaspora kosovare në Zvicër temë e bisedës?

– E natyrshme dhe e pashmangshme në bisedë është edhe diaspora nga Kosova. E para, sepse ajo është një urë lidhëse mes dy vendeve tona, dhe të mos e harrojmë se janë mbi 170 mijë qytetarë të Kosovës që sot janë qytetarë të devotshëm të Zvicrës. E dyta, sepse kjo diasporë jona vazhdon ta ndihmojë jo vetëm familjen e vet në Kosovë por edhe vendlindjen e vet në përgjithësi. Dhe më e rëndësishmja është që diasporës sonë t’i ndihmojmë, duke lehtësuar procedurat dhe mundësitë për investime në vend. Pra një përkujdesje më e madhe për të, përkujdesje institucionale dhe mirënjohje për gjithë mbështetjen që i ka dhënë Kosovës.

Sa është e njoftuar presidentja Jahjaga me zhvillimet e viteve te fundit në diasporën kosovare në Zvicër?
– Të gjitha zhvillimet rreth diasporës sonë janë të njohura për mua. E vlerësoj shumë kontributin që ka dhënë për vendin, në çdo kohë, edhe sot, dhe gjithashtu konsideroj se tani ka ardhur koha që diaspora jonë të gjejë mënyrën që të orientojë gjithë potencialin në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Ne nuk mund të jetojmë nga varësia e remitencave por duhet të orientohemi nga investimet. Kështu përfiton diaspora por njëkohësisht edhe ekonomia e Kosovës, pra qytetarët e saj. Dhe prandaj, si shtet, duhet të krijojmë lehtësira për afaristët – bashkatdhetarë tanë që sot jetojnë në Zvicër.

A do të veprohet konkretisht në favor të nxitjes se investimeve te diaspores ne Kosove. Nëse po, cilat masa konkrete do të ndërmerren?
– Jua thash; krijimi i lehtësive për bërje biznesi në Kosovë. Por le të jemi të sinqertë: ne duhet të punojmë shumë në Kosovë për të ndërtuar shtetin e së drejtës, për të vendosur sundimin e ligjit dhe të rendit. Kjo është domosdoshmëri dhe kjo do të ndryshojë gjithë perceptimin për vendin dhe do të kthejë investitorët nga ne. Por ne duhet të ofrojmë mundësi të mira për biznes, t’i trajtojmë me shumë respekt dhe të garantojmë sigurinë e klimën e biznesit për të gjithë investitorët. Në Zvicër kemi ardhur që të prezantojmë një varg mekanizmash mbështetës institucional, të krijuar për lehtësimin e investimeve dhe afarizmit të ndërmarrësve të diasporës në Kosovë.

A ishte temë bisedimi me homologen zvicerane edhe çështja e eksodit të muajve të fundit kosovarëve drejt perëndimit?

– Kjo është tema e pashmangshme që kam trajtuar në të gjitha takimet e mia të muajve të fundit me personalitetet të ndryshme. Sado që Zvicra, ka pasur më së paku emigrantë ilegalë nga Kosova në këta tre muajt e fundit, ajo ka shprehur shqetësime me trendin në rritje të ikjes së qytetarëve tanë. E ritheksova edhe njëherë se ka shumë arsye të ikjes së qytetarëve nga Kosova: pjesërisht për shkak të gjendjes ekonomike, pjesërisht për shkak të gabimeve që kemi bërë në të kaluarën, por edhe për shkak të ngadalësimit të proceseve integruese të vendit, mbylljes së plotë Kosovës dhe njëkohësisht zhgënjimit e humbjes së besimit të të rinjve tanë edhe në institucione por edhe në një perspektivë të tyre. Tani do të përballemi me kthimin e qytetarëve tanë, që kanë ikur nga Kosova, e të cilët janë shfrytëzuar nga grupe të caktuara kriminale, të cilat kanë përfituar në kurriz të tyre. Institucionet në Kosovë po punojnë që të kthejnë besimin e qytetarëve në shtet, që të rrisin mirëqenien dhe ta zhvillojnë vendin.

E vetmja pikë kritike në marrëdhëniet në mes të dy vendeve është ndërprerja e njëanshme, nga Zvicra, e Marrëveshjes për Sigurimet Sociale. Më 1 prill mbushen 5 vjet nga ky vendim. A u rrah edhe kjo temë me homologen tuaj në Bernë?

Kjo është çështje që po diskutohet në vazhdimësi nga institucionet e të dyja vendeve dhe pritet që së shpejti të gjendet një zgjidhje e përbashkët.

Dhe, nga njohuritë që keni, a ka ndonjë lëvizje drejt përmirësimit të gjendjes në këtë pikë?

– Qeveria e Kosovës së shpejti do t’i përgjigjet pyetjeve shtesë të kërkuar nga autoritetet e Zvicrës për këtë çështje. Pas kësaj institucionet përgjegjëse të Kosovës dhe të Zvicrës do të fillojnë negociatat për një marrëveshje pilot për pagesat e pensioneve për qytetarët.