Lajme

Kancelari gjerman njofton mbështetje shtesë ushtarake për Kievin

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, është zotuar të premten se vendi i tij do ta mbështesë Kievin me një paketë të re ushtarake në vlerë 1.4 miliard euro kah fundi i këtij viti.

Scholz, i cili u takua të premten në Berlin me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se ndihma e re ushtarake përfshin kundërajrorë, tanke, artileri dhe dronë.

Ndihma do t’i dhurohet bashkërisht me vendet partnere, Belgjikën, Danimarkën dhe Norvegjinë.

“Ky është mesazh i qartë për [presidentin rus Vladimir] Putin: të blesh kohë nuk funksionon. Ne nuk do ta kufizojmë mbështetjen për Ukrainën”, tha Scholz, raporton REL.

Zelensky është në një turne në Evropë, ku synon ta paraqesë para vendeve aleate “planin e fitores” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, si dhe për të kërkuar leje për përdorimin e armëve të aleatëve për sulme thellë brenda Rusisë.

Buxheti i Gjermanisë për këtë vit parasheh gati 7.5 miliardë euro ndihmë ushtarake për Ukrainën, ndërsa plani i buxhetit të vitit të ardhshëm parasheh rreth 4 miliardë euro.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022, shkruan albinfo.ch.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.