Integrimi

Numri i ri i albinfo.ch: Emra shqiptarë në politikën zvicerane

albinfo.ch vjen me një dosje speciale mbi shqiptarët në politikën e Zvicrës ose, siç mund të lexohet në ballinë të revistës: “Emra shqiptarë në politikën zvicerane”

Këtë vit, në tetor, mbahen zgjedhjet për Parlamentin e Zvicrës ndërsa gjatë vitit, në disa kantone dhe komuna, mbahen zgjedhjet kantonale respektivisht komunale. Shqiptarozviceranët në “sezonin zgjedhor” të këtij viti janë më aktivë se ndonjëherë më parë. Shumë nga ta garojnë për një vend në parlamentin e komunës ose të kantonit ndërsa një numër më i vogël i kanë hyrë sfidës që të kandidojnë edhe për nivelin më të lartë, atë nacional.

Është me interes edhe fakti që këtë vit kandidatët janë të shpërndarë në pothuaj të gjithë spektrin politik të Zvicrës. Përfshirja fillon me partinë SP/PS, në të cilën shqiptarët tashmë kanë krijuar njëfarë tradite kandidimi, vazhdon me partitë e qendrës dhe të të djathtës si: FDP/PLR-, CVP/PDC, EVP dhe përmbyllet me partinë SVP/UDC.

Albinfo.ch ka kërkuar dhe ka gjetur mjaft nga këta kandidatë nivelesh dhe partishë të ndryshme, të cilët i ka intevistuar ose portretuar, duke ia ofruar kështu publikut shqiptar e zviceran ofertën politike të tyre.

Në këtë numër, ndërlidhur me bllokun e temave mbi shqiptarët në politikën zvicerane publikohen edhe intervista me politikanë zviceranë. Fjala është për intervistën me kandidaten nga SP/PS për ekzekutivin e Kantonit të Cyrihut, Jacqueline Fehr dhe atë me nënkryetarin e SVP/UDC-së Claude-Alain Voiblet.

Si çdo herë, në revistë gjejnë vend edhe preokupimet tjera të diasporës shqiptare në Zvicër e më gjerë nga të gjitha sferat e jetës si kultura, sporti, integrimi etj.

Revista albinfo.ch mund të gjendet kudo ku frekuenton komuniteti shqiptar në Zvicër. Por ajo mund edhe të porositet që t`ju vijë në shtëpi ose kudo ku ju e kërkoni.